Shqipëria

Sejko dhe FMN: Shqipëria i rikthehet rritjes graduale në 2021


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me shefen e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Shqipëri, zj. Yan Sun.

Takimi, i mbajtur më 9 mars, u fokusua në ecurinë e ekonomisë shqiptare, perspektivën makroekonomike të vendit, zhvillimet e sistemit financiar dhe çështjet e atij bankar.

Gjithashtu u fol edhe për ndikimin e pandemisë në ecurinë ekonomike dhe përgjigjet e organeve rregullatore. Në fund u diskutua dhe për pritshmëritë në rimëkëmbjen ekonomike në të ardhmen.

Sejko konfirmoi rëndesën e pandemisë mbi ekonominë shqiptare, sidomos në gjysmën e parë të vitit 2020.

Mbyllja e fortë në vend dhe ambienti i jashtëm i pafavorshëm kanë qenë problematike për ekonominë shqiptare. Megjithatë, aktiviteti ekonomik ka shfaqur tendenca rikuperimi në gjysmën e dytë të vitit.

Guvernatori konfirmoi qëndrueshmërinë e sistemit bankar, i cili ka kontribuar në ruajtjen e stabilitetit financiar në vend.

Solide dhe funksionale kanë rezultuar edhe tregjet financiare. Norma e interesit është në nivelet më të ulëta historike, ndërsa kreditimi ka shënuar rritje.

Lajm i mirë është edhe rënia e kredive me probleme, me 8,1% në fundin e muajit dhjetor. “Sistemi bankar do të jetë element kyç për rimëkëmbjen ekonomike”, shkruhet në deklaratën e faqes së Bankës së Shqipërisë.

Sejko është ndalur edhe te masat e marra në përgjigje të krizës së krijuar nga pandemia. Aktorët publikë, sipas institucionit që ai drejton, janë përgjigjur në mënyrë të koordinuar në aspektin fiskal, monetar dhe makroprudencial.

Stimujt fiskalë të 2020-ës, politikat stimuluese monetare dhe financiare të Bankës së Shqipërisë ndihmuan në rikuperimin e ekonomisë.

Nga ana e përfaqësuesve të FMN-së u vlerësua politika monetare si e përshtatshme, duke krijuar mjedisin për nxitjen e rritjes ekonomike.

Autoritetet shqiptare gjithashtu morën vlerësime për menaxhimin e goditjes së pandemisë në ekonomi, veçanërisht me harmonizimin e politikës fiskale me atë monetare.

FMN-ja lëvdoi ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të Shqipërisë dhe krijimin e kushteve për rimëkëmbjen ekonomike në të ardhmen.

Banka e Shqipërisë dhe FMN-ja në Shqipëri ndanë parashikime të njëjta për rimëkëmbjen graduale në vitet 2021 dhe 2022. Perspektiva ekonomike dhe PBB-ja parashikohen të kenë rritje, e cila do të varet edhe nga ecuria me pandeminë.

Sektori që do të udhëheqë rimëkëmbjen pritet të jetë ai i turizmit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore