Lajme

Schmidt paralajmëron vendime kundër Dodik-ut: Jeni të përgatitur, do të ketë reagim serioz


Christian Schmidt

Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, ka paralajmëruar në mbrëmjes e së premtes ripërdorimin e kompetencave të Bonit (të parapara në bazë të Marrëveshjes së Dejtonit, më 1995) në rastin e Presidentit ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në BeH, Milorad Dodik, pas refuzimit të tij për t’i zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese të BeH.

Ai u ka thënë të gjithë qytetarëve të Bosnje e Hercegovinës që të jenë të gatshëm, pasi që do të ketë një reagim serioz, transmeton media boshnjake “Oslobodenja”.

“I mora gjërat shumë seriozisht. Pozicioni im ekziston që të mund të mbroj vendin dhe qytetarët e tij. Edhe pas kohëve të tmerrshme, ne duhet të sigurohemi që të ndërtojmë një shoqëri paqësore dhe ajo që kemi tani është një përpjekje për ta shkatërruar atë shoqëri. Ky është një sulm serioz, por mund të them, përgatituni, do të ketë një reagim serioz”, ka thënë Schmidt.

Ndërkaq, Përfaqësuesi i Lartë në BeH ka potencuar se i gjithë komuniteti ndërkombëtar ka një qëndrim unik sa i përket sanksioneve për presidentin autoritar të Republikës Srpska, Millorad Dodik.

“Ne në bashkësinë ndërkombëtare kemi folur për këtë ditët e fundit dhe mendoj se ka një qëndrim të unifikuar. Unë mendoj se ata do të qëndrojnë prapa meje dhe do të mbështesin plotësisht synimin për të siguruar punën e Gjykatës Kushtetuese të BeH… Komuniteti ndërkombëtar i merr të gjitha seriozisht, ndonjëherë ne vonuam më parë, por nuk do të jemi më”, ka pohuar ai.

Ndryshe, edhe Departamenti amerikan i Shtetit, nëpërmjet një komunikate për media të enjten, ka thënë se vendimi i Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe – entiteti serb në Bosnjë dhe Hercegovinë – për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës përfaqëson përshkallëzim të rrezikshëm të kërcënimeve secesioniste.

“Ky ligj shkel Kushtetutën e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe bie ndesh me Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit. Sfidimi i Gjykatës Kushtetuese kërcënon jo vetëm sundimin e ligjit, por edhe stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e Bosnje dhe Hercegovinës”, thuhet në komunikatën e DASH-it.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fuqimisht integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin multi-etnik të Bosnjë dhe Hercegovinës. Ne do të vazhdojmë të mbajmë përgjegjës për veprimet e tyre individët e përfshirë në aktivitete që kundërshtojnë Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit”.

DASH: Marrëveshja e Dejtonit nën kërcënim, do t’i mbajmë përgjegjës individët anti-Dejton

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore