Lajme

DASH: Marrëveshja e Dejtonit nën kërcënim, do t’i mbajmë përgjegjës individët anti-Dejton


Departamenti i Shtetit

Departamenti amerikan i Shtetit, nëpërmjet një komunikate për media të enjten, ka thënë se vendimi i Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe – entiteti serb në Bosnjë dhe Hercegovinë – për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës përfaqëson përshkallëzim të rrezikshëm të kërcënimeve secesioniste.

“Ky ligj shkel Kushtetutën e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe bie ndesh me Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit. Sfidimi i Gjykatës Kushtetuese kërcënon jo vetëm sundimin e ligjit, por edhe stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e Bosnje dhe Hercegovinës”, thuhet në komunikatën e DASH-it.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fuqimisht integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin multi-etnik të Bosnjë dhe Hercegovinës. Ne do të vazhdojmë të mbajmë përgjegjës për veprimet e tyre individët e përfshirë në aktivitete që kundërshtojnë Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit”.

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Serbe, Milorad Dodik, cili ka mbështetjen e heshtur të Rusisë dhe Serbisë, prej vitesh mbron idenë e ndarjes së entitetit serb për t’u bërë pjesë e Serbisë. Megjithatë, një veprim i tillë nuk ka gjasa të fitojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pjesës më të madhe të Perëndimit.

Autoritetet e Republikës Serbe refuzojnë kategorikisht autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe zbatojnë një qëndrim konfrontues ndaj shteteve perëndimore. Dodik haptazi bën thirrje për pavarësi dhe flet publikisht për bashkimin e Republikës Serbe me Serbinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore