Lajme

SBASHK-u, shpreson në arritjen e marrëveshjes me Qeverinë


Protesta e BSPK në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka bërë të ditur se në takim me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve, por edhe në takimin e Kryesisë ekzekutive të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, kanë analizuar rrjedhën e protestës së 20 majit.

Sipas këtij njoftimi, gjatë këtyre takimeve është vlerësuar se ky veprim sindikal ka shënuar pjesëmarrje të madhe të sindikalistëve e veçmas të anëtarësisë së SBASHK-ut dhe se, “ata meritojnë respekt të lartë për qëndrimin e dinjitetshëm gjatë marshimit dhe gjatë gjithë kohës sa ka zgjatur protesta”.

“SBASHK shpreh respekt edhe për mirëkuptimin e nxënësve, studentëve dhe të prindërve lidhur me apelin që të premten shkollat e Universitetet të mos punojnë ngase të punësuarit në këto institucione arsimore ishin pjesë e protestës”, thuhet në komunikatën për media të SBASHK-ut.

Ndërsa, thuhet se në këtë takim është diskutuar për hapat e radhët të Bashkimit të Sindikatës së Pavarur të Kosovës dhe SBASHK-ut.

“Në takimin e jashtëzakonshëm të SBASHK-ut me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve dhe në takimin e Kryesisë ekzekutive të BSPK-së duke debatuar për hapat e radhës u vendos unanimisht që të respektohet detyrimi dhe obligimi nga Ligji mbi grevat që para se të shkohet në grevën e përgjithshme të aktivizohet ndërmjetësuesi ligjor”.

Protesta e BSPK në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

Më tej SBASHK-u, ka thënë se shpreson që me Qeverinë të arrihet një marrëveshje e pranueshme.

“Për të bashkëbiseduar për angazhime të përbashkëta në shërbim të arsimit dhe gjetjes së mundësive për zgjidhje të kërkesave legjitime të punëtorëve të arsimit pa pasur nevojë për veprime të tjera sindikale. Të dy palët janë pajtuar që ta mbajnë të informuar njëra-tjetrën për çdo angazhime situatë të krijuar”.

“Deputetët kanë dëgjuar me kujdes gjithë diskutimet e përfaqësuesve sindikalë e pastaj janë deklaruar se do të angazhohen që të vazhdojnë takimet e dialogu me deputetët, Komisionet Parlamentare, por edhe me Qeverinë me qëllim që bashkërisht të gjenden zgjidhje të pranueshme të kërkesave legjitime të anëtarësisë e brenda mundësive reale të buxhetit”, përfundon komunikata.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, nuk ka lejuar zhvillimin e procesit mësimor të premten e 20 majit, si pasojë e protestës.

“Pas një debati konstruktiv është rikonfirmuar se në protestën e thirrur më 20 maj nga BSPK-ja e bazuar në zërin e anëtarësisë do të marrin pjesë në mënyrë masive edhe të punësuarit në sektorin e arsimit”.

“Duke u bazuar në këtë pjesëmarrësit në takimin e jashtëzakonshëm të SBASHK-ut kanë sjellë vendim që të premten shkollat nuk punojnë sepse punëtorët arsimorë me kohë do të nisen nga vendbanimet e tyre për t’u bërë pjesë e protestës”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut për protestën.

Protestuesit janë duke u mbledhur për të marshuar drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës ku do të zhvillohen edhe fjalime nga krerët sindikalë.

Edhe, Këshilli i Prindërve i Kosovës, përmes një reagimi të premten e 20 majit ka vlerësuar se fëmijët e tyre janë pala e vetme e dëmtuar nga grevat dhe protestat e mësimdhënësve, të cilët po kërkojnë miratimin e ligjit për paga.

Sipas tyre, prindërit dhe nxënësit janë duke paguar faturat e mosveprimeve dhe inateve mes Qeverisë dhe mësimdhënësve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore