Lajme

“Kryeministër parandalo grevën e përgjithshme”, nis protesta e BSPK-së


Protesta e BSPK në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë qindra punëtorë nga qytete të ndryshme të Kosovës janë mbledhur për të protestuar rreth kërkesave të tyre.

“Kryeministër realizo kërkesat tona, parandalo grevën e përgjithshme”, ishte njëra ndër pankartat kryesore që po mbajnë në duar protestuesit.

Kërkesa kryesore e kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, që është adresuar ndaj institucioneve është që të miratohet sa më shpejtë projektligji për Pagat.

“Jemi mbledhur këtu për t’ia përkujtuar partnerit tonë social qeverisë, se ne të punësuarit presim vëmendjen e tyre, punë e veprime dhe përmbushjen e premtimeve për të cilat i kemi zgjedhur. Mos na shpërfillni dhe hapnani derën e dialogut social. Shqetësimet tona janë reale, janë të përbashkëta, janë shqetësime të cilat njihni edhe ju”, ka thënë Hykolli.

Sipas tij, kërkesa të cilat ata po presin që institucionet të e realizojnë është mjaft e arsyeshme.

“Kjo kërkesë është e arsyeshme dhe minimale për të punësuarit të cilëve u është vështirësuar jeta. Ju partneri ynë social, qeveria e Kosovës e keni bazën e mëkimit dhe të kujdesit për punëtorin sepse ju e dini, se ne jemi shtylla e këtij vendi dhe shtyllat e bëjnë kulmin. Kur shtyllat shemben, edhe kulmi do të bjerë”, ka thënë Hykolli.

Policia e Kosovës.

Ndërsa, ka kërkuar edhe plotësim-ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale dhe zbatimin e Ligjit për sigurime shëndetësore.

“Ju sindikalistë të dashur ju premtoj fuqishëm e këmbëngulshëm se nuk do të tërhiqemi nga kërkesat tona të përbashkëta derisa t’i arrijmë ato”, ka thënë ai.

Edhe, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka drejtuar kritika ndaj krerëve që po shkojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nuk po merren me punëtorët e Kosovës.

Ai paralajmëroi veprime të radhës sindikaliste nëse kërkesat e sindikatave nuk përmbushen.

“Qeveria sot po e sheh që nuk po flet Atdhe Hykolli, as Rrahman Jashari, as Sali Gashi, por po flet punëtoria e Kosovës. Qeveri këta janë njerëzit tu, i kanë sytë drejt teje dhe është turp të qëndroni nën hije, të qëndroni në Amerikë e gjetkë e të mos dilni këtu e ta thoni të vërtetën para këtyre njerëzve”.

“Qeveri ne po i lutemi zotit që të këndelleni dhe t’i realizoni kërkesat. Në të kundërtën pas kësaj proteste do të ketë veprime edhe më të rënda që ne nuk i duam por ju si duket po i doni”, tha ai para protestuesve.

Protesta e BSPK në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

Ndërsa, shtoi se po kërkojnë ligj të pagave që punohet edhe me përfshirjen e përfaqësuesve të sindikatave të punëtorëve.

“Heshtja e qeverisë, ikja nga dialogu tregon se ne kemi të drejtë. Ne e duam ligjin e pagave por jo ligj që na punon dikush por ligj që e punojmë edhe ne”.

Sipas tij, zgjidhja e vetme do të jetë greva ose bisedimi në Qeveri.

“Qeveria që po thotë se është e Kosovës, le të tregohet se është e tillë. Kjo janë njerëz që edhe në vitet 90 i kanë thënë pushtuesit jo, i kanë thënë Kosovës po. Këta njerëz tani që ishin të Kosovës po dalin me pensione të pleqnisë e shteti po tallet me ta. Ose do të bisedojmë, ose do të ftojmë në greva të përgjithshme”.

Protesta e BSPK në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, nuk ka lejuar zhvillimin e procesit mësimor të premten e 20 majit, si pasojë e protestës.

“Pas një debati konstruktiv është rikonfirmuar se në protestën e thirrur më 20 maj nga BSPK-ja e bazuar në zërin e anëtarësisë do të marrin pjesë në mënyrë masive edhe të punësuarit në sektorin e arsimit”.

“Duke u bazuar në këtë pjesëmarrësit në takimin e jashtëzakonshëm të SBASHK-ut kanë sjellë vendim që të premten shkollat nuk punojnë sepse punëtorët arsimorë me kohë do të nisen nga vendbanimet e tyre për t’u bërë pjesë e protestës”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut për protestën.

Protestuesit janë duke u mbledhur për të marshuar drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës ku do të zhvillohen edhe fjalime nga krerët sindikalë.

Edhe, Këshilli i Prindërve i Kosovës, përmes një reagimi të premten e 20 majit ka vlerësuar se fëmijët e tyre janë pala e vetme e dëmtuar nga grevat dhe protestat e mësimdhënësve, të cilët po kërkojnë miratimin e ligjit për paga.

Sipas tyre, prindërit dhe nxënësit janë duke paguar faturat e mosveprimeve dhe inateve mes Qeverisë dhe mësimdhënësve.

Lajmi në përditësim…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore