Kosova

Sarrazin kërkon që Kosova dhe Serbia ta çojnë përpara marrëveshjen e Ohrit


Manuel Sarrazin.

I Dërguari Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka kërkuar që Kosova dhe Serbia ta dërgojnë përpara zbatimin dhe implementimin e marrëveshjes së Ohrit.

Sarrazin, në një intervistë për Deutsche Welle, është shprehur se bisedimet në këtë drejtim janë duke vazhduar.

“Ne kemi të dërguarin e posaçëm të BE, Miroslav Lajçak, i cili punon, ai ka një agjendë dhe do që të arrijë zbatimin dhe implementimin e Ohrit. Dhe qasja jonë është që ta mbështesim atë dhe të bëjmë gjithçka, që kjo dritare të shfrytëzohet, të cilën Miroslav Lajçak e plotëson tani”.

Qasjen e Lajçak-ut, në raport me Kosovën dhe Serbinë ai e ka përshkruar si “shumë aktive”.

“Më duket se nuk ka kuptim të mendosh shumë, se çfarë do të vijë paskëtaj. Ne jemi për Ohrin dhe duam që të dyja palët ta çojnë përpara zbatimin e Ohrit dhe mendoj se kjo është vendimtare”, ka thënë ai në një intervisë për Deutsche Welle. 

Sipas tij, politika e brendshme duhet të bëhet një faktor i rëndësishëm.

“Dua ta them në mënyrë eksplicite e ardhmja e të gjithë rajonit është në BE dhe kjo duhet të qëndrojë nganjëherë mbi politikën e brendshme”.

Ai ka mohuar se mund të ketë një lajm të ri pas bisedimeve që janë bërë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç,

“Jo diçka për cilën unë mund të flisja këtu. Por një gjë mund të dihet me siguri, se qeveria gjermane mbetet e angazhuar për të bërë gjithçka, në mënyrë që këtu së shpejti të këtë përparim”.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore