Sport

Sandro Tonali pezullohet për 10 muaj nga futbolli


Sandro Tonali (Sky Sports)

Mesfushori i Newcastle, Sandro Tonali do të përjashtohet nga futbolli për 10 muaj për shkelje të rregulloreve italiane të lojërave të fatit, ka thënë presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Gabriele Gravina. Ai tha se Tonali gjithashtu do t’i nënshtrohej një periudhe rehabilitimi tetë-mujore.

Agjenti i Tonali-t ka thënë se klienti i tij ka një varësi nga bixhozi dhe se lojtari bashkëpunoi plotësisht me një hetim italian.

Tonali pranoi se kishte vendosur baste për ndeshje futbolli, duke përfshirë disa për Milan-in, kur ai ishte pjesë e kuqezinjëve.

Mesfushori nënshkroi për Newcastle nga Milan-i për 55 milionë paund në korrik.

Futbollistëve profesionistë në Itali u ndalohet të vënë baste në çdo garë të organizuar nga FIFA, UEFA ose FIGC. Bërja e një gjëje të tillë dënohet me një ndalim prej tre vitesh, megjithëse kjo mund të reduktohet me një pranim fajësie.

“Prokurori i FIGC dhe Tonali kanë arritur një marrëveshje të cilën unë e kam miratuar tashmë”, tha Gravina. “Marrëveshja konsiston në një ndalim 10-mujor plus tetë muaj aktivitete rehabilitimi dhe të paktën 16 paraqitje publike”.

Avokati i Tonali-t ishte në Itali këtë javë për të negociuar një marrëveshje për pranimin e fajësisë për 23-vjeçarin, të cilit i është premtuar mbështetja e plotë e klubit të tij.

Menaxheri i Newcastle, Eddie Howe, tha të premten e kaluar: “Ne do të përkrahim Sandro-n dhe do ta mbrojmë atë dhe do të përpiqemi t’i japim dashurinë dhe mbështetjen që i nevojitet për të gjetur zgjidhje për problemet që ka pasur. Ne e shohim atë si pjesë e ekipit tonë për shumë vite. Ne jemi të përkushtuar ndaj tij”.

Mesfushori i Juventus-it, Nicolo Fagioli, javën e kaluar u dënua me shtatë muaj si pjesë e një marrëveshjeje me FIGC-në pasi kishte shkelur rregullat rreth basteve në ndeshje.

Pezullimi i tij ishte për 12 muaj, por pesë prej tyre u hoqën dhe ai u gjobit me 12,500 euro. Ai gjithashtu ra dakord për një program trajtimi për problemet e lojërave të fatit.

Zyrtare, Fagioli dënohet me shtatë muaj pezullim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore