Shqipëria

Samiti BE-Ballkan është mesazh kundër Putinit e Vuçiçit, mendon Berisha


Për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, samiti i 6 dhjetorit në Tiranë, i cili do të shohë të mbledhur liderët e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, është një mesazh i qartë kundër Vladimir Putinit, Alexander Vuçiçit dhe Edi Ramës.

Kjo, pasi në këtë mënyrë, bashkësia evropian, po i tregon Moskës se Shqipëria, është territor i vendeve perëndimore dhe shtetet e tjera, nuk mund të kenë ambicie gjeostrategjike.

“Ky është nder i papërsëritshëm për Shqipërinë, përzgjedhje gjeostrategjike e rëndësisë strategjike, me të cilën Evropa i thotë Putinit e të tjerëve se Shqipëria është territori ynë dhe harroni se mund të keni ambicie të tjera”, cilësoi Berisha, gjatë një takimi që pati me banorë të njësisë numër 5 në Tiranë.

Për ish-kryeministrin e vendit, vetë Samiti është në interes tërësor të shqiptarëve.

Kjo, pavarësisht faktit se ai më datë 6 dhjetor, ka paraprirë se do të ketë një protestë kundër qeverisë, “për t’i treguar Evropës atë çfarë vërtetë po ndodh në vend”.

Çfarë po ndodh, sipas Berishës dhe forcave opozitare, është argumenti se shteti është i kapur dhe i korruptuar.

Megjithatë, Samitin, ai e mirëpret në përkufizimin e tij, duke pretenduar se bëhet edhe në kontekstin e një mohimi të projekteve që mund të ketë presidenti rus, Putin apo ai serb, Vuçiç.

Protesta ndërkaq, siç është bërë me dije më parë nga strukturat e rendit, nuk do të lejohet të zhvillohet përpara Kryeministrisë, pasi do të ketë një perimetër sigurie të pakalueshëm.

Në të njëjtën linjë të ndjekur, Bashkia Tiranë ka lajmëruar se është e gatshme të ndihmojë në organizimin e kësaj proteste, duke sugjeruar si vend të përshtatshëm sheshin Skënderbej.

Por, deri tani, opozita nuk i ka pranuar deklaratat nga strukturat, duke pretenduar edhe vetë Berisha se protesta jo vetëm që do zhvillohet përballë Kryeministrisë, por do të jetë edhe në përmasa “madhështore”.

Protesta e 6 dhjetorit, turp apo vlerë?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore