Shqipëria

Protesta e 6 dhjetorit, turp apo vlerë?


Ndryshe nga çdo herë tjetër.

Deputetë, drejtues të grupit Parlamentar, ministra dhe kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë zgjodhën të reagojnë.

Shumë ashpër, me fjalë të mëdha etiketuese ata kanë dënuar protestën e thirrur nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, më 6 dhjetor.

E mesa duket i gjithë reagimi vjen pasi në atë datë do të zhvillohet në Shqipëri për herë të parë një nga samitet më të rëndësishëm, ai mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Në Tiranën zyrtare do të shkelin krerët më të lartë të unionit, por jo vetëm.

“Turpi ka emër”, “tradhti”, “antishqiptar”, “as Puti-i nuk do e bënte” e “përbaltje”.

Janë frazat që kanë përdorur ligjvënësit më të lartë socialistë për këtë lajm të dhënë nga vetë Berisha dy ditë më parë.

E duke lënë pas “luftën socialiste”, pamja nga “fushë-beteja” tjetër duket tërësisht e qetë.

As një vend, as një orë dhe as një organizim për protestën në ditën, kur pritet që shumica e rrugëve të jetë e bllokuar dhe masat e sigurisë të jenë të shtuara.

Berisha reagoi së fundmi duke premtuar se protesta do të jetë pro evropiane dhe jo kundër miqve të Shqipërisë, partnerëve strategjikë dhe aleatëve natyralë.

Turp apo vlerë të protestosh më 6 dhjetor?

“Argumenti kryesor se protesta turpëron Shqipërinë në sytë e Bashkimit Evropian, në fakt nuk është e vërtetë. Protesta e shpëton Shqipërinë në sytë e udhëheqësve të Bashkimit Evropian”.

Kështu shkruan analisti Mero Baze, i cili thekson se liderët evropianë po vijnë në një vend demokratik, dhe jo në një vend të kontrolluar nga Qeveria dhe pushteti.

Por për të, “protesta e Berishës e lehtëson Perëndimin”.

Kjo pasi ai mbetet një person i shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe e analisti shprehet se Perëndimi do të ndihet i lehtësuar “ e i drejtë në vendimin ndaj tij”.

Sipas Meros, i gjithë ky reagim i socialistëve bëhet që  Qeveria “t’ia ngrejë nervat deri në qiell”, që Berisha mos të tërhiqet nga protesta.

Një këndvështrim krejtësisht tjetër ka analisti, Enton Alibekaj, i cili thotë se protesta e thirrur “ndezi alarmin e Qeverisë”.

Ai shkruan se, shqetësimi për sigurinë, përplasja me Policinë, kur të gjithë liderët dhe të gjitha kamerat perëndimore do të jenë në Tiranë, do ta amplifikojnë protestën e opozitës më shumë se të gjitha protestat së bashku.

E kështu ajo do të marrë një efekt “të përmasave ndërkombëtare”, do apo nuk do Berisha dhe Qeveria.

Të dy analistët janë dakord në një pikë.

Imazhet e protestave – ndonjëherë të dhunshme – që shoqërojnë Samitet e shteteve të mëdha në Perëndim, këtë herë do të xhirohen nga Tirana.

Teksa flitet për organizim, deri më tani Berisha nuk ka gjetur përkrahje të plotë as nga vetë selia blu.

Madje pati edhe deputetë demokratë që e kundërshtuan një grumbullim të tillë në dhjetor.

As partneri i tij i koalicionit për zgjedhjet vendore, Ilir Meta, nuk ka folur ende nëse do e mbështesë apo jo idenë e liderit të PD-së.

Ky i fundit ishte krah Berishës në protestën e tij të fundit të mbajtur në fillim të nëntorit, e cila u kthye në një platformë fjalimesh ku u thanë të gjitha “çfarë i shqetësonte opozitarët”.

Mbetet të presim javën e ardhshme të sesionit politik, për të mësuar diçka më shumë për shqetësimet e opozitës ose të paktën vendin e protestës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore