Lajme

Sami Lushtaku përfundon intervistimin në EULEX, i konfiskohet telefoni


Avokati Artan Çerkini dhe nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.

Ky lajm është përditësuar

Nënkryetari i Komunës së Skenderajt njëherësh edhe kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Skenderaj, Sami Lushtaku, ka përfunduar deklarimin e tij në zyrat e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), të premten e 8 marsit.

Avokati i tij Artan Çerkini, para gazetarëve ka deklaruar se Lushtakut i është konfiskuar telefoni.

“Ky veprim bie ndesh me ligjin. Sami Lushtaku nuk e ka statusin e të dyshuarit, prandaj atij i është cenuar privatësia pasi i është marrë telefoni”, ka thënë ai.

Duke shtuar se, “do të paraqesim ankesë në Dhomat e Specializuara”.

AP ka kontaktuar edhe EULEX-in edhe Gjykatën Speciale lidhur me arsyen se përse i njëjti është duke u intervistuar.

Avoakti Artan Çerkini.

Nga EULEX-i, kanë thënë se për këtë mund të përgjigjet vetëm Gjykata Speciale.

“Ju lutem, të kontaktoni me zëdhënësin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Christopher Bennett”, kanë thënë nga EULEX-i.

Ndërsa, nga Specialja AP akoma s’ka pranuar përgjigje lidhur me rastin.

Ndërsa djali i tij i cili është edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka deklaruar se nënkryetari i Skenderajt s’kishte pasur thirrje apo ftesë për paraqitje.

“S’kemi informacione saktësisht se për çfarë është thirrur, avokati mbrojtës me aq sa jemi të informuar është brenda. Presim të shohim se çfarë po bëhet, s’ka pasur ndonjë thirrje apo ftesë për paraqitje”, u shpreh ai.

Po ashtu, edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku, ka reaguar pas ndalimit të Lushtakut nga EULEX-i duke i konsideruar si spektakël të vazhdueshëm.

“Siç po raportohet në media, Specialja e paska ndaluar në këto orë të vona z. Sami Lushtaku.

“Përveç spektakleve të vazhdueshme që po bëhen nga kjo pseudo gjykatë, të ndalohet njeriu në rrugë pa kurrfarë paralajmërimi, kjo është edhe një poshtërsi e tyre e radhës”, ka shkruar ai në Facebook.

Kurse, në mëngjesin e së enjtes, Gjykata Speciale kishte kryer bastisje tek shtëpia e ish-Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi.

Lajmin për bastisjen e shtëpisë së Selimit në lagjen “Veterrnik”, në Prishtinë, për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Christopher Bennett.

“ZPS po kryen operacione të vazhdueshme”, ka thënë shkurtimisht Bennett për AP, në një përgjigje me shkrim.

Nga ZPS-ja nuk kanë dhënë detaje të tjera për arsyet e kësaj bastisje.

Po ashtu u raportua se bastisje, hetuesit e ZPS-së, kanë bërë edhe në shtëpinë e ish-Ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, mirëpo i njëjti kishte mohuar një gjë të tillë.

Ai kishte thënë se takimi i tij me ZPS-në ishte për diskutime që i takojnë punës.

“Jo, nuk ka pas bastisje. S’ka pas bastisje, kam pas një kontakt me ta për punën që e bëj atje, por jo as bastisje, as polici as kurrgjë tjetër. Po më vjen keq që e kanë qit lajmin”, ka thënë Kuçi.

Nga ZPS-ja nuk kanë dhënë detaje të tjera për arsyet e këtyre bastisjeve.

Specialja bastisë vetëm shtëpinë e Sylejman Selimit, me Kuçin diskuton për “shkaqe pune”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore