Gjykata Speciale

Specialja bastisë vetëm shtëpinë e Sylejman Selimit, me Kuçin diskuton për “shkaqe pune”


Pamje nga vendi i ngjarjes

Ky lajm është përditësuar

Në mëngjesin e së enjtes, Gjykata Speciale ka filluar me bastisje të radhës. Këtë herë, cak i bastisjes është shtëpia e ish-Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi.

Lajmin për bastisjen e shtëpisë së Selimit në lagjen “Veterrnik”, në Prishtinë, për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Christopher Bennett

“ZPS po kryen operacione të vazhdueshme”, ka thënë shkurtimisht Bennett për AP, në një përgjigje me shkrim.

Sylejman Selimi gjatë luftës

Nga ZPS-ja nuk kanë dhënë detaje të tjera për arsyet e kësaj bastisje.

Më herët u raportua se bastisje, hetuesit e ZPS-së, janë duke bërë edhe në shtëpinë e ish-Ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, mirëpo i njëjti ka mohuar një gjë të tillë.

“Jo, nuk ka pas bastisje. S’ka pas bastisje, kam pas një kontakt me ta për punën që e bëj atje, por jo as bastisje, as polici as kurrgjë tjetër. Po më vjen keq që e kanë qit lajmin”, ka thënë Kuçi për “Exspress.

Nga ZPS-ja nuk kanë dhënë detaje të tjera për arsyet e këtyre bastisjeve.

Edhe në dhjetor të vitit të kaluar, ZPS kishte bastisur shtëpinë e Behar Shalës, bashkëluftëtarit të ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafës, i dënuar me nga Gjykata Speciale me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Po ashtu, në muajin shtator të vitit të kaluar, bastisje u kryen edhe në banesën e familjarëve të dëshmorëve, Fahri e Bahri Fazliu, në Prishtinë, nën arsyetimin se të njëjtët kanë tentuar të ndikojnë në dëshmitarë, derisa procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është duke vazhduar në Hagë.

Ndërsa “cak” kryesor i hetuesve të Speciales për bastisje gjatë vitit të kaluar ishin shtëpitë dhe banesat e ish-këshilltarëve të ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi: Blerim Shalës, Bashkim Smakajt, Artan Behramit, Adil Behramajt dhe Ismajl Sylës, si të dyshuar se “penguan drejtësinë”.

Për këto bastisje ishte pyetur nga Albanian Post kryegjyqtarja e Speciales, Ekaterina Trendafilova më 29 nëntor gjatë një konference për media në Prishtinë, por kjo e fundit kishte kundërshtuar termin “bastisje”, duke sugjeruar të përdoret termi “kontrolle/kërkime”.

“Terminologjia e duhur ligjore është kontrolle/ kërkime, jo bastisje. Nuk ka bastisje. Nuk e di pse gjithandej lexoj për bastisje. Nuk e di nëse do të ketë kontrolle/kërkime [në të ardhmen]. Ndoshta mund të ketë kërkime dhe konfiskime. Kjo ka qenë e pa pritshme edhe për mua”, pati thënë ajo, duke iu referuar bastisjeve të muajve të fundit të ZPS-së në Kosovë.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 3 prill të vitit të kaluar në Hagë ka nisur gjykimi ndaj ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit, si të akuzuar për krime të pretenduara lufte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore