Shqipëria

Salianji: Kuvendi mban të fshehur kërkesën e SPAK-ut, pushteti dhe veglat e tij janë në hall


Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar në median sociale, Facebook, për lajmin e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, të mërkurën në orën 18.

Ai bën me dije se, edhe pse mbledhja është bërë për të vendosur mbi kërkesën e SPAK-ut, anëtarët e Këshillit nuk e kanë marrë dokumentacionin.

Salianji, anëtar i Këshillit, shkruan se të martën në email së bashku me lajmërimin për mbledhjen, thuhej se “dokumentacioni shoqërues i kërkesës është gati dhe mund të tërhiqet pranë sekretarisë ditën e nesërme”.

“Na ndajnë më pak se katër orë nga fillimi i mbledhjes së Këshillit, materialet nuk na janë vënë në dispozicion”, shkruan deputeti në Facebook.

Më tej, ai vijon duke qartësuar se mosdhënia e materialeve bie në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.

“Kjo në kundërshtim flagrant me Rregulloren e Kuvendit, e cila në nenin 118, pika 1 parashikon se kryetarja e Kuvendit ua dërgon kërkesën dhe dokumentacionin përkatës menjëherë anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin”.

Sipas tij, nuk ka arsye përse Kuvendi i Shqipërisë të mbajë fshehur informacionet e tilla, por ai aludon se “sot pushteti dhe veglat e tij janë në hall”.

“Mbi të gjitha se ajo që po bëjnë, është një tjetër shkelje flagrante e ligjit. Halli i qeverisë nuk janë zyrtarucët që i ka përdorur dhe më pas i ka lëshuar, halli i tyre është koka e grupit!”, shkruan ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore