Shqipëria

Bllokimi i Kanalit të Suezit/ Dritë në fund të tunelit


Dita e gjashtë, fije shprese

Zyrtarët e kanalit thanë megjithatë se ishte bërë një përparim dhe se ata shpresonin që anija do mund të vazhdonte rrugën e saj, deri të dielën në mbrëmje.

Raportohen më shumë se 300 anije janë bllokuar në të dy anët e bllokimit.

Autoritetet thanë më parë se do të dërgonin më shumë rimorkio nëse përpjekjet e së shtunës dështonin.

Plani rezervë

Nëse gërmimi i rërës dhe tërheqja e anijes me tërheqje nuk arrin ta lëvizë atë, Gjenerali Osama Rabie, Kryetar i Autoritetit të Kanalit të Suezit, tha se ekipet e shpëtimit duhet të heqin disa kontejnerë.

John Denholm, president i Dhomës së Transportit në Mbretërinë e Bashkuar, tha për BBC-në se transferimi i ngarkesës në një anije tjetër ose në bankën e kanalit do të përfshinte sjelljen e pajisjeve të specializuara, përfshirë një vinç me gjatësi më shumë se 60 metër të lartë.

“Nëse duhet të ndërmarrim procesin e uljes së peshës, kam bindjen se do flasim për javë të tëra punë”, tha ai.

Çfarë ka ndodhur?

Një anije kontejnerësh, me destinacion Roterdamin, u përplas në Kanalin e Suezit, ditën e martë rreth orës 7:40 të mëngjesit. Kjo shkaktoi bllokim të anijeve të tjera që udhëtonin nëpër një nga rrugët ujore më të ngarkuara në botë.

Anija 220 mijë tonësh, Ever Given, u përplas gjatë itinerarit nga Deti i Kuq për në Mesdhe.

Sipas deklaratës së kompanisë logjistike për transportin ujor, GAC, përplasja ndodhi pas një ndërprerjeje në rrjetin e operimit. Ndërprerja e rrjetit të operimit erdhi pasi anija u përfshi nga erërat me shpejtësi 70 kilometra nё orё dhe nga një stuhi rëre që shkaktoi shikueshmëri dhe lundrim të dobët.

Anija, e gjatë 400 metra dhe e gjerë 59 metra, mund të mbajë deri në 20 mijë kontejnerë transporti, raportoi agjencia mediatike, Al Jazeera.

Imazhet e postuara në mediat sociale tregonin anijen, me një ngarkesë të plotë, që kishte bllokuar të gjithë korsinë e kanalit.

15 anije të tjera, të cilat prisnin të kalonin pas saj, u ankoruan në pritje të lirimit të Kanalit, vetëm ditën e parë.

Ever Given është e ndërtuar në vitin 2018 dhe është ndër anijet më të mëdha të mallrave në botë.

Dita e tretë

Misioni për të zhbllokuar kanalin e Suezit kishte hyrë në ditën e tretë. Përpjekjet për të zhvendosur 220 mijë ton rifilluan të enjten e 25 marsit pas një pushimi të shkurtër gjatë natës.

Peter Berdowski, CEO i kompanisë specialiste të pastrimit, Boskalis, tha se të dhënat e deritanishme tregojnë që anija nuk mund të tërhiqet, por duhet të shkarkohet. Ky proces mund të zgjasë me javë.

Ndihma e presidentit Biden

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, është shprehur se SHBA-ja po merr në konsideratë se çfarë mund të bëjë për të ndihmuar në lirimin e kanalit të Suezit.

“Ne kemi pajisje dhe kapacitet që shumica e vendeve nuk i kanë. Po shohim se çfarë ndihme mund të japim”.

Komentet e tij erdhën, pasi një zyrtar amerikan tha se, Marina ishte e përgatitur për të dërguar një ekip ekspertësh në kanal. Sipas tij, po pritet miratimi nga autoritetet lokale.

Ndërkohë, përpjekja e fundit për të zhvendosur anijen duke e tërhequr u pezullua të premten e 26 marsit.

Bëhet me dije se, kompanitë e transportit filluan të ridrejtojnë ngarkesat diku tjetër për të shmangur përkeqësimet që mund të ndodhin.

Dita e pestë, sërish të bllokuar

Autoritetet e kanalit kanë dalë me një ide të re, e cila sugjeron deri në 20 mijё metra kub rërë në Kanalin e Suezit se duhet të hiqen për të liruar anijen gjigande të kontejnerëve që ka mbetur e bllokuar.

Me gjithë përpjekjet për të liruar anijen, mund të duhen javë për ta hequr, sipas ekspertëve.

Në një konferencë shtypi në Japoni, presidenti i Shoei Kisen – që zotëron anijen – i tha medias lokale se nuk kishte shenja dëmtimi të motorëve dhe instrumenteve të saj.

“Anija nuk po merr ujë. Nuk ka asnjë problem me timonët dhe helikat e tij. Sapo të zhvendoset, do të jetë në gjendje të niset”, tha Yukito Higaki, duke kёrkuar ndjesё pёr bllokimin dhe telashet e krijuara.

Rreth 20 mijë ton rërë u pastrua dhe 14 rimorkiatorë tërhoqën dhe shtynë anijen në mënyrë që të përpiqen ta zhvendosin atë.

Edhe pse baticat dhe erërat e forta ndërlikuan përpjekjet për të liruar anijen, rimorkiatorët arritën ta lëviznin atë 30 gradë në dy drejtime.

Bllokimi ka shkaktuar një trafik prej mё shumё se 200 anije, vonesa të mëdha në shpërndarjen e naftës dhe produkteve të tjera.

Ever Given ishte planifikuar të mbërrinte në portin e Felixstowe në fillim të prillit.

Nëse anija lirohet deri të hënën, industria e transportit mund t’i përballojë problematikat, thanë analistët, por përtej kësaj, zinxhirët e furnizimit dhe konsumatorët mund të fillojnë të shohin ndërprerje të mëdha.

Ekspertët e transportit thanë se era mund të ketë qenë faktori kryesor pse anija ngeci në kanal, por parashtruan që edhe gabimi njerëzor gjithashtu mund të ketë ndodhur.

Kanali i Suezit

Kanali i Suezit ka më shumë se 150 vite që është ndërtuar. U deshën 10 vjet dhe 1.5 milionë punëtorë për ta ndërtuar në shekullin 19-të. Dhe u desh një ditë dhe një anije gjigante për ta bllokuar atë në vitin 2021.

Ai është një nga rrugët më të rëndësishme tregtare në botë. Rreth 10% e të gjitha udhëtimeve tregtare detare kalojnë përmes saj.

Rreth 10% e tregtisë botërore rrjedh përmes kanalit, e cila është veçanërisht e rëndësishme për transportimin e naftës.

Sipas Autoritetit të Kanalit të Suezit (SCA), gjatë vitit 2020, pothuajse 19 mijë anije, ose një mesatare prej 51.5 anije në ditë, me një tonazh neto prej 1.17 miliardë tonë, kaluan nëpër kanal.

Kanali, vitet e fundit, ka qenë një ndihmë për ekonominë në vështirësi të Egjiptit. Ky i fundit fitoi 5.61 miliardë dollarë të ardhura vetëm vitin e kaluar.

Bllokimi i saj ka shkaktuar trafik tё madh anijesh të tjera, që përpiqen të kalojnë përmes kësaj rruge.

Kanali, i cili ndan Afrikën nga Lindja e Mesme dhe Azinë, është një nga rrugët më të ngarkuara tregtare në botë, me rreth 12% të tregtisë totale globale që lëviz nëpër të.

Sipas të dhënave të gjurmimit të Listës Lloyd, më shumë se 160 anije presin në të dy skajet e kanalit. Nga tё cilat 41 tё transportit tё mallrave dhe 24 anije cisterna.

Së bashku me naftën, pjesё e trafikut janë dhe produkte të konsumit të tilla si veshje, mobilie, përbërës të prodhimit dhe pjesë makinash.

Mbyllja gjithashtu mund të ndikojë në dërgesat e naftës dhe gazit në Evropë nga Lindja e Mesme.

Bllokimi kishte pezulluar një ngarkesë të vlerësuar me 9.6 miliardё dollarë nё ditë midis Azisë dhe Evropës.

Bllokimet e mëparshme

Anijet e kontejnerëve janë dyfishuar në përmasa në dekadën e kaluar, ndërsa tregtia globale zgjerohet, duke e bërë punën e lëvizjes së tyre shumë më të vështirë kur bllokohen.

Nuk është hera e parë që Kanali i Suezit është bllokuar. Në vitin 2018, ai u mbyll përkohësisht pasi një anije greke kontejnerësh pësoi anomali në motor, duke u përplasur me pesë anije të tjera.

Edhe në vitin 2014, anija me kontejner, Colombo Express, e gjatë 324 metra, gjithashtu humbi kontrollin, duke u përplasur me anijen Maersk Tanjong, me të njëjtën madhësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore