Lajme

Safet Gërxhaliu: Masat kundër COVID-19 do të “tkurrin vendet e punës në Kosovë”


Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu

Masat e reja të miratuara nga Qeverisë Kosovës të cilat kanë hyrë në fuqi të hënën e 30 gushtit sipas njohësve të çështjeve ekonomike do t’i shkaktojnë tri goditje ekonomisë së vendit.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu në një prononcim për Albanian Post ka thënë se me hyrjen në fuqi të masave të reja do të ketë tkurrje të vendeve të punës si dhe goditje për buxhetin e konsoliduar të vendit.

“Masat që kanë hyrë në fuqi do të kenë efektet e veta nga të cilat do të ketë goditje në disa sektorë të ekonomisë kosovare por edhe disa indikatorë. Do të kemi më pak konsum, do të kemi rënie të qarkullimit te bizneset, tkurrje të vendeve të punës”, është shprehur Gërxhaliu.

Gërxhaliu ka kërkuar një mobilizim në procesin e vaksinimit, derisa ka theksuar që Qeveria e Kosovës duhet të mësojë nga përvojat e vendeve të rajonit pasi sipas tij, kanë bërë më shumë se sa Kosova në kohën e mbylljes.

“Jeta e qytetarëve është mbi të gjitha në këtë drejtim qeveria duhet të bëjë çmos që të mbrojë shëndetin publik. Me mbyllje dhe me masa të ndryshme më tepër dëmtohet ekonomia andaj prioritet i qeverisë duhet të jetë vaksinimi  dhe vetëm me vaksinim gjithëpërfshirës mund të minimizohen pasojat dhe rrezikshmëria nga COVID-19”, ka thënë ai.

Po ashtu Gërxhaliu ka potencuar se me mbylljen e ekonomisë dhe me kufijtë e hapur, “do të ketë ndikim në eksportin e vazhdueshëm të parasë publike që ndikojnë në varfërinë e qytetarëve të Kosovës”.

“Prandaj duhet përgjegjësi, të mendohet se si të mbështeten bizneset”, shtoi ai.

Nga e hëna në Kosovë kanë filluar të zbatohen masat e reja të cilat i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës të enjten e kaluar, për të parandaluar rritjen e infektimeve me virusin Corona.

Nga 30 gushti është rikthyer “ora policore”. Nga ora 22:00 deri në 5:00, ndalohet lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës, përveç rasteve urgjente.

Pavarësisht numrit të personave, ndalohet veprimtaria e klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, eskurzioneve, peligrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Ndalohen shërbimet në gastronomi në hapësirat e mbyllura. Qëndrimi i klientëve (shërbimi i ushqimit dhe pijeve) lejohet vetëm në hapësirat e hapura të lokaleve të gastronomisë.

Ndalohet hyrja në mjetet e transportit publik pa maskë. Operatorët e transportit rrugor të udhëtareve lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50% të kapacitetit të ulëseve. Në taksi lejohen të udhëtojnë deri në dy (2) udhëtarë.

Bibliotekat, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të Komunave, pezullojnë aktivitetin e tyre deri me datë 13 shtator 2021. Teatrot, orkestrat, ansamblet, baleti lejohet të organizojnë shfaqje online (pa prezencë të publikut) si dhe të mbajnë ushtrimet.

Lejohen grumbullimet në ambiente të mbyllura deri në tridhjetë (30) persona (punëtori, mbledhje, seminare, trajnime, ngjarje kulturore). Organizatori obligohet të siguroj distancën fizike prej 1.5 metër në mes të personave.

Aktiviteti mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar pezullohet deri me datë 13 shtator 2021.

Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera, të mbajnë dezinfektues për duar dhe një sasi të maskave në vende të qasshme në hyrje të objektit si dhe në ambientet e brendshme.

Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga COVID-19, përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, respektimin e distancës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore