Lajme

Rusia po përparon në lindje, sipas autoriteteve ukrainase


Trupat ruse vazhdojnë ofensivën e tyre në zonën e Izyum-it, duke sulmuar Marinka-n dhe uzinën Azovstal në Mariupol.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat ukrainase, të cilat citojnë deklaratën e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës në Facebook.

Forcat ruse po përpiqen të vazhdojnë operacionet sulmuese për të vendosur kontroll të plotë mbi territorin e rajoneve Donetsk dhe Luhansk, vërejnë autoritetet vendase.

Në drejtimin Izyum, trupat ruse tentuan një ofensivë në drejtim të Sulyhivka-s, Dibrivne-s.

Kjo, përmes zbulimit ajror të ofensivës me përdorimin e mjeteve ajrore pa pilot “Orlan-10”.

“Në drejtimet Donetsk dhe Tavriya, pushtuesit rusë vazhdojnë të bombardojnë pozicionet përpara të Forcave të Armatosura dhe të kërkojnë dobësi në mbrojtje përgjatë gjithë linjës së kontaktit”, shkruhet në deklaratë.

Luftimet vazhdojnë në zonat e Kreminna-s, Torske-s dhe Zelena Dolyna-s.

Forcat ruse po i përqendrojnë gjithashtu përpjekjet “në kapjen e Mariupol-it dhe vazhdimin e sulmit ndaj uzinës Azovstal”.

Shtabi i Përgjithshëm parashikon që në të ardhmen “pushtuesit rusë” do të vazhdojnë të qëllojnë mbi pozicionet e trupave ukrainase dhe të kryejnë armiqësi për të arritur kufijtë administrativë të rajonit Kherson.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore