Lajme

Rusia merr kontrollin e plotë në Severodonetsk


Autoritetet ukrainase e bëjnë me dije vetë: Rusia ka marrë kontrollin e plotë të Severodonetsk-ut, në Ukrainën Lindore.

Lajmin e ka bërë me dije vetë kryetari i bashkisë, Oleksandr Stryuk, i cili ka folur për një televizion ukrainas mbi situatën momentale në lindje të vendit.

Sipas tij, javë të tëra bombardimesh ruse kanë bërë që qyteti të jetë thuajse i gjithi i rrënuar. Ndërtesa të panumërta janë shkatërruar teksa mbi jetët e njerëzve dhe vdekjet civile, ende nuk dihet asgjë.

Në bazë çfarë kryebashkiaku Stryuk ka thënë, një pjesë e mirë e banorëve të zonët ishin strehuar në uzinën e lëndëve kimike të Azot-it, por tashmë, e vetmja mënyrë për të dalë nga aty, është nëpërmjet territoreve ruse.

Vetë rebelët pro-rusë në zonë, u janë bashkuar Ushtrisë së Moskës dhe kanë avancuar në pjesë të Lysynchansk-ut, qytet i cili ndodhet përballë Severodonetsk-ut.

Mirëpo, diçka të tillë, nuk e kanë konfirmuar autoritetet ukrainase.

Me marrjen e qytetit të rëndësishëm, tashmë Kremlini ka nën kontroll thuajse gjithë territorin e Luhanskut dhe një pjesë të madhe të Donetskut. Të dy rajonet, formojnë edhe qendrën e njohur si Donbass-it industrial.

Rreth 100 mijë persona kanë qenë banues në këtë zonë, por shumica e tyre është larguar që me fillimin e luftës më 24 shkurt.

Nuk dihet tashmë nëse avancimi rus do të shtrihet deri në qytetin e Bilohorivka e më tej, duke shtyrë edhe më shumë se sa rajoni lindor i Donbass-it, në brendësi të territorit ukrainas.

Gjasat momentale që kjo të ndodhë janë të pakta, pasi mendohet se një rigrupim rus dhe rekuperim forcash mund të ndodhë gjatë kohës, për të stabilizuar trupat në lindje.

Ofensiva po ashtu po vijon në zonat jugore të Ukrainës, ku qëllimi final, ai për marrjen e qytetit portual të Odessa-s, duket ende i largët për forcat ruse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore