Lajme

Rusi-Bjellorusi, një marrëdhënie e rrezikshme për Putin-in


Financial Times (FT) hedh dritë në artikullin e saj mbi marrëdhëniet dypalëshe në aksin Rusi-Bjellorusi, që sipas analistëve do të pasohet nga një kosto ekonomike dhe politike për presidentin rus, Vladimir Putin.

Gjatë muajit gusht, shumë shtete perëndimore shtrënguan sanksionet ekonomike ndaj Bjellorusisë.

Këto masa të rrepta erdhën pas shtypjes së protestave masive që lëkundën për herë të parë regjimin e presidentit bjellorus, Aleksandër Lukashenko.

Fill pas kësaj, Putin ishte adresari i Lukashenko-s, teksa i dha një hua prej 1.5 miliardë dollarësh. Kjo nismë financiare ishte dakordësuar që në vitin 2020.

“Një Lukashenko i dobët është sinjal pozitiv për Moskën pasi mund të zgjerojë kushtëzimet e saj. Por jo nëse ai është aq i dobët sa të destabilizojë situatën në rrugë”, tha Alex Kokcharov, analist kryesor i rrezikut të vendit në institucionin londinez IHS.

Përplasja Bjellorusi-BE

Përplasja e fuqisë bjelloruse me perëndimin u përshkallëzua pasi ai shtypi protestat popullore të ndezura nga zgjedhjet presidenciale të gushtit 2020, të cilat kritikët i përshkruan si të manipuluara.

Nga ai moment, Lukashenko i është referuar Putin-it si një partner, një mik dhe, së fundi, një vëlla.

Bëmat e Lukashenko-s nuk kanë të sosur, kur detyroi një fluturim të Ryanair me itinerar drejt Lituanisë të ulet në Minsk.

Apo me dërgimin e emigrantëve në kufijtë me Evropën si pjesë e asaj që Brukseli e ka quajtur një “luftë hibride” kundër BE-së.

Javën e kaluar, Polonia dërgoi 900 ushtarë për të ndaluar emigrantët, disa prej tyre afganë në kufi me Bjellorusinë.

Përballja e Lukashenko-s me perëndimin mund t’i përshtatet qëllimeve të Putin-it në dobësimin e BE -së.

Paralajmërimet

Shtetet baltike kanë paralajmëruar se “armatosja” e Bjellorusisë e migrimit drejt BE-së dhe stërvitjet e afërta ushtarake që përfshijnë trupat ruse dhe bjelloruse mund të çojnë në një “incident” kufitar me trupat e NATO -s.

Por, FT-ja shkruan se Lukashenko duket se po i shijon kjo perspektivë.

“Ata – referuar perëndimit – duhet të kenë frikë”, deklaroi presidenti bjellorus pasi u shpallën sanksionet perëndimore.

Sipas Lukashenko-s, nëse do të jetë e nevojshme, nuk do të ketë vetëm një bazë në Bjellorusi. Udhëheqësi bjellorus paralajmëroi se të gjitha forcat ushtarake ruse do të vendosen në Bjellorusi në rast të një shpërthimi të ri të luftës botërore.

Për FT-në, protestat në rritje në Bjellorusi mund të shkaktojnë shqetësim të brendshëm në Rusi dhe “të helmojnë” reputacionin e Moskës midis kundërshtarëve të brendshëm të Lukashenkos dhe çdo pasardhësi të mundshëm.

“Vitin e kaluar ishte e qartë se shumë në Rusi po ndiqnin protestat në Bjellorusi me interes të madh dhe Putini apo rrethi i tij janë jashtëzakonisht paranojakë për protestat”, tha Eleanor Bindman, një eksperte në politikën e Evropës Lindore në Universitetin Metropolitan të Mançesterit për FT-në.

Duke pasur parasysh rreziqet, Ministria e Jashtme ruse deri më tani ka ruajtur një linjë të kujdesshme.

Bindman përmbylli se “Rusia do të vazhdojë të ofrojë ndihmë për Bjellorusinë vëllazërore dhe njerëzit e saj, në rezistencën ndaj presionit perëndimor dhe në pohimin e sovranitetit të saj”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore