Sport

Rummenigge komenton spekulimet për Adeyemi-n dhe Rudiger-in te Bayern-i


Karl-Heinz Rummenigge ka komentuar spekulimet që po gjejnë gjithnjë e më shumë vend në media se Bayern Munich-i është i interesuar për Karim Adeyemi-n dhe Antonio Rudiger-in.

Ish-shefi ekzekutiv i Bayern Munich-ut, Rummenigge, ka folur mbi raportet e shumta që lidhin dy lojtarët e Kombëtares së Gjermanisë me bavarezët.

Adeyemi 19-vjeçar luajti për Bayern-in në të kaluarën, kur ishte shumë më i vogël në moshë.

Por, ai e la akademinë e tyre në vitin 2012, për shkak të disa mosmarrëveshjeve.

Para tre vitesh, Bayern-i pati përsëri mundësinë për të nënshkruar me Adeyemi-n.

Ai ishte pjesë e SpVgg Unterhaching-ut, por përfundoi duke nënshkruar me RB Salzburg-un.

“Ne nuk ishim të përgatitur për të paguar aq shumë atëherë. Transferimi supozohej të kushtonte rreth 3 milionë euro, që ishte shumë për një 16-vjeçar në atë kohë”, tha Rummenigge për “TZ”.

“Ai është zhvilluar mirë. E pashë atë duke luajtur për ekipin kombëtar dhe gjithashtu e pashë në ndeshjen e tij të fundit në Champions League”.

“Ai është lojtar interesant. Duhet pritur dhe të shihet çfarë do të ndodhë. Tani mund t’i shtoni një zero çmimit të tij në krahasim me atëherë”, shtoi ai.

Rummenigge foli edhe për raportet që lidhin Bayern-in me Rudiger-in.

Këtij të fundit i përfundon kontrata me Chelsea-n në verën e ardhshme.

“Nuk dua të ndërhyj fare kur është fjala për çështjet e mundshme të transferimeve të Bayern Munich-ut. Ata e dinë se çfarë të bëjnë. Mendoj se Bayern Munich-u është mirë në qendrën e mbrojtjes”, tha dy herë fituesi i “Topit të Artë” në vitet 1980 dhe 1981.

“Unë gjithashtu mendoj se Bayern Munich-u është i pozicionuar mirë pa Rudiger-in. Tani duhet pritur të shohim se çfarë do të ndodhë me çështjen e (Niklas) Sule-s, kontrata e të cilit po përfundon”, ka theksuar 66-vjeçari.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore