Lajme

Rukiqi: S’ka asnjë projekt nga Qeveria që të ketë ndikim në ekonominë e vendit


Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tash anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, deklaroi se Qeveria drejtuar nga Albin Kurti nuk e ka as edhe një projekt të vetëm që të ketë ndikim në ekonominë e vendit.

“Çdo ditë kemi sfida të reja dhe çdo ditë kemi rritje të neglizhencës së qeverisë, në raport me trajtimin se si i bëhet ekonomisë së vendit. Kemi shkallë të ulët të investimeve kapitale, nuk kemi asnjë projekt të rëndësishëm për ekonominë, nuk kemi investim në energji, gjë që është jetike edhe në raport me sfidat që kemi pasur dhe me sfidat që do t’i kemi në të ardhmen”, deklaroi Rukiqi në një intervistë për Kosovapress.

“Nuk kemi investime të sektorit privat, të cilët janë të dekurajuar nga qasja dhe neglizhenca në raport me sfidat që i kanë ata, siç është edhe ikja e fuqisë punëtore, e kështu me radhë”, shtoi ai.

Duke u ndalur te inflacioni, Rukiqi tha se qytetarët nuk kanë pasur përkrahje nga ekzekutivi.

Rukiqi theksoi se Qeveria e Kosovës nuk ka dëgjuar as rekomandimet, të cilat i kanë dhënë në vazhdimësi për të lehtësuar jetesën e qytetarëve të Kosovës.

Në anën tjetër, më 8 prill, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, përmes një postimi në rrjetin social Facebook është shprehur se për gjatë vitit 2022 në Kosovë janë shtuar mbi shtatë mijë vende të punës.

“Në gjithë vendin, janë 7 mijë e 48 vende pune të shtuara në sektorin e prodhimit dhe përpunimit përgjatë qeverisjes sonë, deri në fund të vitit 2022”, ka shkruar Murati në Facebook.

E, këto shifra sipas tij janë “dëshmia më e mirë se programi i qeverisë sonë për rikthim të ekonomisë drejt prodhimit po funksionon”.

Murati përsëri me shifra: Në vitin 2022 janë shtuar mbi 7 mijë vende pune

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore