Lajme

Murati përsëri me shifra: Në vitin 2022 janë shtuar mbi 7 mijë vende pune


Ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, përmes një postimi në rrjetin social Facebook është shprehur se për gjatë vitit 2022 në Kosovë janë shtuar mbi shtatë mijë vende të punës.

“Në gjithë vendin, janë 7 mijë e 48 vende pune të shtuara në sektorin e prodhimit dhe përpunimit përgjatë qeverisjes sonë, deri në fund të vitit 2022”, ka shkruar Murati në Facebook.

E, këto shifra sipas tij janë “dëshmia më e mirë se programi i qeverisë sonë për rikthim të ekonomisë drejt prodhimit po funksionon”.

Ndërkaq, Murati vlerësoi se përmes Programit të Ringjalljes Ekonomike janë mbështetur prodhuesit përmes disa masave, ku edhe i përmendi disa prej tyre.

“Furnizim me energji elektrike të subvencionuar, disafish më lirë se rajoni; Shtim të kapitalit në Fondin për Garanci Kreditore, dhe mbulim të tarifave për garantimin e kredive”, tha ai.

Përveç tyre, ai përmendi edhe “subvencionim të kredive investuese për zgjerim të kapaciteteve prodhuese; Mbështetje në trajnimin e stafit, marketing e brendim, dhe pjesëmarrje në panaire brenda e jashtë vendit; Grante për bashkëfinancim të pajisjeve; Rritje e subvencioneve për produktet bujqësore; Subvencion për punësimin e grave; Subvencionim për punësimin e të rinjve”.

Por, gjithashtu ai potencoi se kanë bërë edhe veprime të tjera që kanë qenë sipas tij në funksion të mbështetjes së prodhuesve.

“Lehtësimi i procedurave e barrës administrative përmes dixhitalizimit, apo edhe luftimi i kontrabandës e informalitetit”.

Tërë këtë proces ai e përkufizoi si “gradualisht, por sigurt, drejt një ekonomie të qëndrueshme”.

“Qeveria për prodhuesit!”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore