Lajme

Rrustem Mustafa ftohet nga Specialja për të dëshmuar: Do udhëtoj javën tjetër për në Hagë


Ish-komandant i Zonës së Llapit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa

Ish-komandant i Zonës së Llapit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa, pritet që javën tjetër të dëshmojë në Gjykatën Speciale.

“Po është e vërtet, po nuk di detaje shtesë, përveç se do të udhëtoj javën tjetër në Hagë”, tha ai për Albanian Post.

Megjithatë, Mustafa deklaroi se nuk e di në çfarë cilësie është ftuar nga Specialja për të dëshmuar.

I njohur ndryshe edhe me nofkën “Remi”, Mustafa në muajin prill të këtij viti gjatë një interviste në KTV pati theksuar se “ende jam i dyshimtë për Specialen”.

“Unë ende jam i dyshimtë”, kishte thënë ai.

Ndryshe, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën 1998–1999.

Për këto krime të pretenduara, ZPS-ja pretendon se katër pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm ishin në dijeni ose kanë pasur arsye të jenë në dijeni.

Ata akuzohen edhe për pjesëmarrje direkte në frikësim, marrje në pyetje dhe keqtrajtim të të ndaluarve nëpër qendra ndalimi. Akuzat i kanë mohuar në tërësi Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi, e po ashtu edhe mbrojtësit e tyre.

Gjykata Speciale apo siç quhet zyrtarisht, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por me seli në Hagë.

Ajo i heton krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën prej janarit 1998 e deri në dhjetor 2000, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës në vitin 2011, autor i të cilit është senatori zviceran Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore