Sport

Rrugëtimi i Interit drejt titullit të 19-të në Serie A


Inter tashmë edhe zyrtarisht është kampion i ri në Serie A duke i dhënë fund dominimit nëntë-vjeçar të skuadrës së Juventusit.

Zikaltërit u shapllën kampion i Italisë për herë të 19-të në historinë e tyre, pas plot 11 vitesh.

Zyrtarizimi i titullit erdhi katër javë para përfundimit të kampionatit, pasi që ndjekësi i tyre Atalanta, barazoi të dielën me Sassuolon.

Ngritja lartë e trofeut ishte pak a shumë e pritshme, pasi që ata kaluan një sezon fantastik dhe shkuan në hapa të sigurt drejt kurorëzimit.

Mbrojta, mesfusha si dhe sulmi shkuan për mrekulli për skuadrën tashmë kampione të sezonit 2020/21 në Serie A.

25 fitore, shtatë barazime dhe dy humbje, i mjaftuan skuadrës së Antonio Conte që të shpallet kampion i Italisë, katër javë pa përfunduar kampionati.

Natyrisht që një meritë e madhe shkon pikërisht për trajnerin nga Lecce, me stafin e tij të besuar, që përbëhet nga zëvendëstekniku Cristian Stellini, Gianluca Conte si dhe ish-lojtari i përfaqësueses së Italisë Paolo Vanoli, që bashkë me vëllanë e Conte-s janë asistentët e tij.

Presidenti kinez Steven Zhang dhe Grupi Suning Holdings në bashkëpunim të ngushtë me drejtorin sportiv, Giuseppe Marotta, plotësuan të gjitha dëshirat e Contes, duke sjellë në Inter futbollistët që ai dëshironte.

Meritë e madhe për fitimin e Scudetos, kishte edhe mbrojtja, pasi që ata përfaqësojnë mbrojtjen më të mirë në kampionat, me vetëm 29 gola të pësuar nga 35 takime, kurse sa i përket sulmit, më shumë se zikaltërit, kanë shënuar vetëm skuadra e Atalantës me 79 gola, pesë më shumë se ata.Zikaltërit gjatë pjesës së parë të sezonit, nuk e prekën asnjëherë vendin e parë në tabelë, të cilët në fundin e gjysmësezonit u gjenden vetëm dy pikë larg Milanos së vendit të parë.

Në pjesën e dytë të kampionatit, rivalët e tyre të përbetuar të qytetit, filluan të gabojnë dhe të humbasin terren, ndërsa Interi realizoi një seri shumë të mirë me vetëm katër barazime dhe plot 14 fitore, 11 prej të cilave radhazi, kurse humbja e vetme në vitin 2021 për Interin ishte ndaj Samporias në fillimin e muajit janar.

Në xhiron e parafundit të fazës së parë të kampionatit, skuadra e Contes dha një mesazh të qartë për sa i përket çështjes së titullit, duke mposhtur në “San Siro” kampionët në fuqi, Juventusin, ndërsa dyshimet e fundit u zhdukën përfundimisht në fundin e muajit shkurt, pas triumfit 3:0 në derbin me Milanin.

Në këtë mënyrë, Interi siguron titullin kampion me 82 pikë, aq sa e mbyllen sezonin e kaluar në vendin e dytë në Serie A.

Sigurisht, eliminimi i parakohshëm në Ligën e Kampionëve ndihmoi jashtëzakonisht shumë në fitimin e scudetto-s, por gjithsesi bëhet fjalë për një titull me idenë e të cilit të gjithë u mësuan që në muajin shkurt.

Një trofe i merituar, që gjithashtu meritonte të festohej në mënyra të tjera e plot madhështi nga tifozët zikaltër, të cilët e pritën 11 vite këtë ditë, por që për fat të keq, ata nuk e përjetuan këtë festë nga shkallët e stadiumit “San Siro” për shkak të masave antiCovid.

Tani i gjithë populli zikaltër do të kufizohet për të festuar këtë titull të shumëpritur, me ëndrrën dhe shpresën se klubi i tyre i zemrës, sapo ka nisur rrugëtimin, duke hapur një cikël të ri në kampionatin italian dhe në Evropë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore