Shqipëria

Rrogozhina – Bashkia e të gjithëve, po drejtimi i kujt?


“Ethet” e zgjedhjeve të pjesshme, që pritet të mbahen më 6 mars në gjashtë bashki, kanë filluar të ndihen edhe në qytetin e Rrogozhinës.

Si një vend kryesisht bujqësor, por dhe me dalje në det, sot Rrogozhina qëndron si Bashki, falë 14 ndryshimeve territoriale që iu bënë hartës territoriale në momentet e fundit në vitin 2015.

Në historinë politike të këtij qyteti, dinamikat kanë qenë të ndryshme, megjithatë në garën e 6 marsit, përballë taksave vendore, turizmit dhe infrastrukturës do të qëndrojnë tre kandidatët e zgjedhur nga Partia Socialiste (PS), Partia Demokratike (PD) dhe koalicioni “Shtëpia e Lirisë”.

Ata kanë nisur “betejën”, duke pasur me vete avantazhe dhe disavantazhe.

Rrogozhinë

Partia Socialiste ka avantazhin, pasi e drejton këtë bashki që nga 2019-ta.

Zgjedhjet e 30 qershorit të atij viti, do të paracaktonin fitoren e PS-së, me kandidat Haxhi Memollën, pasi Beqir Nuredini – kryebashkiaku i zgjedhur 4 vite më parë si pjesë e PDIU-së – nuk pranoi të hynte në zgjedhje, duke respektuar vendimin e opozitës për bojkot.

Kjo ishte hera e parë kur i zgjedhuri nga radhët e partive i dorëzoi detyrën pa kontestim, pasi në Devoll, Kavajë, por edhe bashkitë e tjera që drejtoheshin nga përfaqësues të PD-së apo LSI-së bënë rezistencë.

Pas ndarjes nga jeta më 22 shkurt 2020 të Haxhi Memollës, në krye të institucionit bashkiak do të vinte nipi i tij, Edison Memolla.

“Dera e bashkisë, e hapur për të gjithë”

Partia Socialiste ka vendosur të garojë me kreun e komanduar të Bashkisë, Edison Memollën.

Aktivizimin e tij politik, Memolla do ta fillonte në vitin 2004, si kryetari i Forumit Rinor të Partisë Socialiste (FRESSH) për katër vite.

Memolla, ndonëse është i diplomuar për mësuesi në Histori – Gjeografi, për shtatë vite do të mbante pozicionin e administratorit të bizneseve.

Kandidati Edison Memolla

Ai ka drejtuar shumë projekte, si ato të shkollave, të qendrave historike, pallateve, punëve në sektorin publik, privat, si dhe në fushën e ndërtimit dhe vendosjen e impianteve të ndryshme elektrike, hidraulike dhe gazit.

Memolla, përveç pjesëmarrjes së tij në politikë, mbahet mend edhe si futbollist i skuadrës së “Egnatia”-s, përgjatë viteve 2005-2010.

Për socialistët, Rrogozhina nuk ka kohë për të humbur, ndaj alternativa më e mirë është Edison Memolla, për të vijuar punët dhe projektet e mira në qytet.

“Beteja për Bashkinë Rrogozhinë vetëm me të majtët”

Përballë Memollës, qëndron kandidati i Partisë Demokratike, Ferdinand Saraçi, i cili është i njohur për qytetarët e kësaj bashkie.

Përfshirjen në politikë për PD-në ai e ka prej shumë vitesh, ndërkohë që prej 2016, është zgjedhur kryetar i Partisë Demokratike, dega Rrogozhinë, me votën e anëtarësisë.

Saraçi ka lindur dhe është rritur në Rrogozhinë, dhe banon në Gosë.

Pasi u rikthye në qytetin e tij nga emigrimi, që prej vitit 2000, ai merret me biznesin e tregtisë së makinerive bujqësore dhe pjesëve të këmbimit.

Saraçi është “zotuar” se do t’u sjellë fitoren demokratëve dhe qytetarëve të Rrogozhinës.

Kandidati Ferdinand Saraçi

Gjithashtu ai ka theksuar se “beteja” për Bashkinë Rrogozhinë do të jetë vetëm me të majtët, pavarësisht përçarjeve mes demokratëve.

Motoja e tij është “për t’u kthyer Bashkinë të gjithë qytetarëve”.

I treti i renditur në fletën e votimit, jo për nga rëndësia, qëndron kandidati i koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Hekuran Xhani.

Xhani, i shpallur fitues i primareve të Berishës, ka mbajtur postin e nënkryetarit të Partisë Demokratike, Rrogozhinë.

Ai është student i dhjetorit të 1990-ës, si dhe themelues i PD-së në fshatrat e njësisë administrative Lekaj.

Ndërsa, nga viti 2008 deri në vitin 2012 ka mbajtur postin e kryetarit të PD-së në njësinë administrative Lekaj.

Kandidati Hekuran Xhani

Gjithashtu, Xhani ka qenë dhe sekretar i këshillit të Komunës Lekaj në vitet 2007-2015.

Vizioni i tij, edhe pse në një rrugëtim prej 15 muajsh është i gjerë, nga ulja e taksave vendore deri te bujqësia.

Si një njohës i mirë i biznesit, pavarësisht se ka përfunduar studimet për Mjekësi Veterinare, ai ka theksuar se Rrogozhina është rrënuar nga borxhet.

“Taksat vendore janë rritur minimalisht me dy deri në tri herë, duke pasqyruar një gjendje të mjerueshme të biznesit të madh dhe të vogël”.

Një aspekt tjetër që kandidati “përdor” përpara elektoratit është “turizmi”.

Bashkia e Rrogozhinës shtrihet në një terren pjesërisht kodrinor dhe pjesërisht fushor deri në bregun e detit. Si e tillë, në ekonominë e saj rol të rëndësishëm luan bujqësia.

 

 

Në hartën e saj të vjetër do të ishte kryesisht bujqësore dhe blegtorale, por hartuesit menduan që kjo Bashkia të hynte mes Kavajës dhe Lushnjës për të dalë në det në zonën e plazhit të Spillesë.

Ajo përfshin njësitë administrative Rrogozhinë, Kryevidh, Sinaballaj, Lekaj dhe Gosë.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në Bashkinë e Rrogozhinës të drejtën e votimit e kanë rreth 31 mijë e 996 zgjedhës.

Secili nga kandidatët, premton një Rrogozhinë me “fytyrë tjetër”.

Megjithatë, se çfarë “fytyre” do t’i jepet Rrogozhinës, mbetet në dorën e elektoratit për të dhënë verdiktin e drejtimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore