Lajme

Rritet numri i lindjeve në Kosovë


Foto: Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK).

Klinika e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka bërë të ditur se këtë vit janë kryer më shumë lindje së në vitin e kaluar.

“Në Klinikën e Gjinekologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në gjashtë muajt e parë të vitit 2022, u kryen 4 mijë e 379 lindje, 200 më shumë se sa në vitin e kaluar për të njëjtën periudhë kohore”, thuhet në njoftimin e Klinikës.

Ndërsa, është sqaruar se nga 1 mijë e 623 raste lindjet u kryen me intervenim kirurgjik. Kurse, dominon gjinia mashkullore.

“Nga numri i përgjithshëm i lindjeve, 2 mijë e 344 foshnje janë meshkuj dhe 2 mijë e 160 foshnje tjera janë femra”.

Foto: Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK).

Në klinikën e Gjinekologjisë, bëhet e ditur se janë kryer edhe lindje të binjakëve dhe trinjakëve.

“Sipas raportit të punës për periudhën janar- qershor, u regjistruan 111 lindje me binjakë dhe 7 lindje me trinjakë”.

Ndryshe, trendi në rënie i lindjeve dhe ai në rritje i migrimit të popullsisë mund të shkaktojnë ndryshime demografike në Kosovë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, që nga viti 2014, Kosova ka regjistruar rënie të natalitetit pothuajse për çdo vit.

Në vitin 2014, numri i lindjeve të gjalla ka qenë 25,929. Në vitin 2019 janë regjistruar 21,798 lindje të gjalla, ndërsa në vitin 2020 – 18,188. Rritje ka pasur vetëm vitin e kaluar, kur janë regjistruar 28,549.

Në anën tjetër, sipas një dokumenti të publikuar nga Autoriteti Qeveritar për Migrim, për periudhën 2018-2020, nga Kosova kanë emigruar 71,799 banorë.

Projeksioni i Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitet 2011-2061 tregon se 2034-ta pritet të jetë viti kur Kosova do të fillojë të ballafaqohet me depopullimin si problem demografik, i cili nga dekada në dekadë do të thellohet vazhdimisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore