Shqipëria

Rritet me 38% numri i bizneseve të mbyllura në Shqipëri pas pandemisë


Sipas raporteve nga Drejtoria e Tatimeve, nga 1 maji deri në 31 dhjetor, subjektet që kanë kaluar në status pasiv janë rritur me 38% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

6 mijë e 600 subjekte rezultojnë të shtuara në listën e subjekteve pasive gjatë periudhës maj-dhjetor.

4 mijë e 800 ishte numri i subjekteve të shtuara në listën e subjekteve pasive për periudhën maj-dhjetor në 2019.

Kriza nga pandemia dhe kufizimet për të frenuar përhapjen e saj kanë ndikuar negativisht bizneset, kryesisht bizneset e vogla.

Mbyllja e detyruar disa javore e aktivitetit, ulja e konsumit dhe kufizimet në orare kanë shkaktuar efekte negative në këto biznese.

Rajonet që e kanë të bazuar aktivitetin te sektori i turizmi kanë pësuar rritjen më të lartë të mbylljeve së bizneseve për periudhën janar-dhjetor në 2020.

Në Vlorë, shifrat e bizneseve të kaluara në subjekte pasive janë 107% më të larta se një vit më parë.

Vlora pasohet nga Kukësi, rajon i cili e ka të bazuar ekonominë në turizëm malor.

Pezullimet e subjekteve janë rritur me 74% në këtë rajon.

Në Shkodër, subjektet pasive janë rritur me 64%.

Shkodra pasohet nga Saranda me 60% dhe Korça me 56%.

Tirana dhe Durrësi kanë pësuar rritje respektive të subjekteve pasive me 35% dhe 16%.

Në të gjitha rajonet, numri i subjekteve që kanë kaluar në status pasiv është rritur me ritme dyshifrore, me përjashtim të Lezhës dhe Dibrës.

Ndikimi i mbylljes së bizneseve në shifrat e papunësisë në vend

Mbyllja e bizneseve ka ndikuar në rritjen e numrit të të papunëve në vend.

Sipas INSTAT, numri i të punësuarve ka rënë me gati 30 mijë persona gjatë nëntë muajve në 2020, në krahasim me të njëjtën periudhë në 2019.

Mbi 10 mijë persona janë nga sektorit privat.

17 mijë persona janë nga sektori bujqësor dhe 1 mijë e 600 persona nga sektori shtetëror.

Në gjashtëmujorin e parë, rreth 50 mijë persona rezultuan të papunë.

Kjo rritje në papunësi u ndikua nga masat e marra gjatë pandemisë, të cilat detyruan mbylljen e qindra bizneseve.

Në tremujorin e tretë, papunësia ka pësuar një ulje të lehtë.

Aktualisht, 30 mijë persona janë jashtë tregut të punës.

Qarqet e Shkodrës, Vlorës dhe Korçës pësuan rritjen më të lartë vjetore të papunësisë në tremujorin e tretë të këtij viti./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore