Financa

Rritet inflacioni në Gjermani, më i larti që nga viti 2008


I nxitur nga rritja e aktivitetit ekonomik, çmimet më të larta të energjisë dhe ndërprerja e zinxhirëve global të furnizimit, inflacioni gjerman është rritur në nivelin e tij më të lartë që nga viti 2008.

Agjencia e lajmeve, “Financial Times”, tregon se në Gjermani, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit u rrit me 3.4 për qind në muajin gusht dhe me 3.1 për qind në korrik krahasuar me një vit më parë.

Ka të ngjarë që rritja të intensifikojë shqetësimet se politika monetare shumë e lirshme e eurozonës mund të shkaktojë mbinxehje të ekonomisë së saj më të madhe.

Javën e ardhshme, këshilli drejtues i Bankës Qendrore Evropiane do të takohet për të diskutuar nëse ekonomia e bllokut po kthehet mjaft fuqishëm nga ndikimi i pandemisë së coronavirus-it për të justifikuar një ngadalësim të ritmit të blerjes së bonove.

François Villeroy de Galhau, guvernator i bankës qendrore të Francës dhe anëtar i këshillit të BQE-së, është shprehur në një intervistë se vendimi “duhet të marrë parasysh” përmirësimin e kushteve të financimit gjatë verës.

Këtë vit, BQE pret që rritja e inflacionit të jetë “kalimtare” dhe parashikon që rritja e çmimeve do të zbehet gjatë vitit të ardhshëm. Inflacioni i Eurozonës parashikohet të rritet nga 2.2 për qind në korrik në 2.8 për qind në gusht.

“Rritja e sotme e inflacionit do të bëjë shumë pak për të kapërcyer hendekun midis dy kampeve të inflacionit; njëri argumenton se nxitësit e inflacionit janë kalimtarë dhe se efektet bazë do të zhduken apo edhe do të kthehen vitin e ardhshëm dhe tjetri duke parë një rrezik të gjerë të përshpejtimit të inflacionit”, ka thënë Carsten Brzeski, kreu i kërkimeve makro në ING.

Në shumë vende inflacioni po pëson rritje teksa ekonomia botërore tërhiqet nga ndikimi i pandemisë, duke rritur presionin mbi bankat qendrore për të filluar fshirjen e stimulit monetar që nisën vitin e kaluar.

Jay Powell, kryetar i Rezervës Federale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka pohuar javën e kaluar se banka qendrore ka planifikuar të fillojë të pakësojë blerjet e aseteve të saj këtë vit.

“Financial Times” tregon se herën e fundit që inflacioni gjerman arriti 3.4 për qind ishte në ngritje të krizës financiare të vitit 2008. Kurse tani po rritet më shpejt se shumica e vendeve të tjera evropiane pjesërisht për shkak të efekteve të njëhershme.

Megjithatë, ka pak shenja që presionet e çmimeve po ushqehen me paga. Zyra Federale e Statistikave ka nxjerrë se në tre muajt e fundit deri në qershor, pagat përfshirë pagesat e njëhershme u rritën me 1.9 për qind nga e njëjta periudhë e një viti më parë.

Vitin e kaluar, shkurtimi i TVSH-së dhe rënia e çmimeve të naftës do të reflektohej në inflacion më të lartë për pjesën tjetër të këtij viti, ka shtuar ai.

Në veçanti ka pasur rritje të çmimeve të mallrave të prodhuara pasi fabrikat gjermane përballen me kostot spirale dhe mungesat e materialeve të tilla si gjysmëpërçuesit dhe ngushticat në rrugët e transportit të kontejnerëve.

Në gusht, inflacioni i mallrave gjermanë u rrit me 5.6 për qind ndërsa inflacioni i shërbimeve arriti në 2.5 për qind.

Kurse çmimet e prodhuesve për produktet industriale u rritën me 10.4 për qind në korrik. Rritja më e lartë që nga viti 1975 gjatë krizës së naftës kur inflacioni total arriti kulmin në nivelin më të lartë të pasluftës prej afro tetë për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore