Lajme

Rreth 50 policë u dorëhoqën – “nëse s’reagon shteti numri do rritet”


“Rreth 50 pjesëtarë të policisë së Kosovës kanë dhënë dorëheqje vullnetare për shkak të kushteve jo të mira, derisa Qeveria e Kosovës qe shtatë muaj nuk ua ka paguar shtesat për rrezikshmëri”.

Kështu thotë kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, për KosovaPress, derisa i ka bërë thirrje institucioneve përkatëse që të reagojnë lidhur me kërkesat e tyre, në të kundërtën numri i dorëheqjeve do të rritet.

“Po ashtu për pakënaqësitë e punonjësve policorë lidhur me kushtet e punës, kjo sindikatë para një muaji ka filluar me veprime sindikale duke dorëzuar në Kuvend një peticion, në të cilin kanë nënshkruar 62% e pjesëtarëve të PK-së”, tha ai.

Të njëjtit për këtë po presin reflektim nga Qeveria.

Policia e Kosovës asnjëherë tjetër nuk ka qenë kaq e ekspozuar ndaj rrezikut dhe asnjëherë tjetër për një kohë kaq të gjatë siç ishte me situatën në Veri, por është hera e parë tash e 15 vjet që shteti ka vendosur t’ua ndalë shtesat për rrezikshmëri në punë.

Përveç mungesës së sigurimeve shëndetësore, për herë të parë, pas 15 vjetëve, policët do mbeten pa shtesa për punën me rrezik që kryejnë.

Ndryshe, që nga përfundimi i luftës së fundit, 19 zyrtarë të policisë kanë humbur jetën në detyrë.

Rasti i parë është regjistruar në shtator të vitit 2001.

Me legjislacionin në fuqi, e drejta e kompensimit nga buxheti i shtetit u takon dy kategorive: familjarëve të zyrtarëve policorë që vdesin në detyrë dhe atyre në kryerje të detyrës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore