Shqipëria

Ronela e dyta më e dëgjuara në YouTube, çfarë ndodhi me skualifikimin në Eurovision?


Skualifikimi i Shqipërisë nga Eurovisioni ka ngjallur debate të shumta në opinionin publik, sa i përket performancës së këngëtares Ronela Hajati dhe arsyeve se pse ajo nuk ia doli të shkonte në natën finale.

Të shumtë ishin ata që kritikuan vetë këngën, vetë Ronelën. Por, po aq të shumtë, ishin edhe ata, të cilët e quajtën “politik” votimin dhe skualifikimin e këngës “Sekret” e cilësuan si një “hakmarrje për gjithë kontroversitetin” që shkaktoi Hajati në ditët e saj të qëndrimit në Torino.

Çështja shkoi deri aty, saqë një fotografi e saj të fshihej nga organizatorët e spektaklit, pasi u pa  si një ekzagjerim i pamjes së këngëtares dhe ekspozim i tepërt.

Një pjesë e votimit për kalimin nga gjysmëfinalja në finale, i takon publikut dhe pjesa tjetër i takon një jurie të përzgjedhur.

Ndërsa rezultatet nuk janë bërë ende të ditura, ato çfarë mund të shihen qartë janë shikimet dhe reagimet në media sociale.

Pikërisht mbi këto të dhëna, kënga e Ronela Hajatit është aktualisht e dyta më e shikuara nga nata e parë e performancave, ku ka marrë mbi 915 mijë shikime.

Të parët qëndrojnë ukrainasit e Kalush Orchestra, me mbi 1.2 milionë shikime.

Ndërsa, këngë të tjera, të cilat u kualifikuan për në finale, kanë shumë më pak shikime se sa ajo e Ronelës në kanalin zyrtar të YouTube-it të Eurovision Song Contest.

Fjala bie, vendi më i afërt është Moldavia, me rreth 525 mijë shikime.

Ndërsa, kënga zvicerane “Boys do cry” nga Marius Bear, ka vetëm 147 mijë shikime dhe është kualifikuar për natën finale.

Sigurisht që shikimet në YouTube nuk reflektojnë votimin nëpërmjet mesazheve telefonike për performancat. Por një trend i tyre, mund të jetë gjithsesi tregues se ku do të anonte vota e publikut.

Ndaj, pyetja e vetme që mund të shtrohet, të paktën deri në çastin kur rezultatet e votimeve të bëhen publike, është: çfarë ndodhi realisht me skualifikimin e Shqipërisë në Eurovision?!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore