Lajme

Rohde: Procesi i Berlinit po nxit integrimin ekonomik midis shteteve të Ballkanit Perëndimor


Jorn Rohde

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një postim në platformën sociale “X”, ka theksuar se Procesi i Berlinit po nxit integrimin jetik ekonomik midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe lidhjen e tyre me Bashkimin Evropian.

“Përparimi i prekshëm i arritur përgjatë kësaj rruge përkthehet në përmirësime të rëndësishme në jetën e përditshme të njerëzve në rajon”, pohon ai.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në një prononcim ekskluziv për Albanian Post, kishte bërë të ditur se Kosova, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, si të vetmet shtete në Ballkanin Perëndimor të cilët aktualisht kanë ratifikuar tri marrëveshjet e Procesit të Berlinit – Lëvizjen me Letërnjoftime, Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë dhe Njohjen e Kualifikimeve Profesionale të Mjekëve, Stomatologëve dhe Arkitektëve – kanë fituar të drejtën që nga 1 qershori të përfitojnë nga benefitet e këtyre tri marrëveshjeve.

Këto ujdi, të quajtura ndryshe edhe si Marrëveshje të Mobilitetit, që u nënshkruan me 3 nëntor të vitit të kaluar në Berlin e që për qëllim kanë lehtësimin e udhëtimit, studimit dhe punën për qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor, nuk janë ratifikuar nga Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.

Ndonëse Podgorica zyrtare ka arritur t’i aprovojë marrëveshjet, projektligjet në fjalë janë ende në procedurë parlamentare, ndërsa në Sarajevë momentalisht janë në fazën e konsultimit ndërministror, meqë ka një mungesë të konsensusit të brendshëm, përkatësisht refuzimit të Republikës Srpska për shkak të Kosovës.

Gjithë në këtë mes situatën më të keqe me marrëveshjet e dala nga Procesi i Berlinit e ka Bosnja e Hercegovina.

Ujditë në fjalë në Bosnje aktualisht janë në fazën e konsultimit ndërministror.

Këshilli i Ministrave në Sarajevë e ka shtyrë votimin e marrëveshjeve për shkak të mungesës së një konsensusi të brendshëm, përkatësisht refuzimit të Republikës Srpska për shkak të Kosovës.

Bosnjë e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe qytetarët e të dyja shteteve duhet të pajisen me vizë nëse duan të udhëtojnë në shtetet përkatëse.

Procesi i Berlinit, ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve për letërnjoftime, diploma dhe vende pune

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore