Lajme

Rohde kërkesë Qeverisë: E nevojshme fushata informuese për dinarin


Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, është shprehur i të njëjtit mendim ashtu sikurse ambasadori i Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, i cili ka kërkuar që të ketë hapësirë për informimin dhe rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) në lidhje me dinarin.

Kërkesën Rohde e ka bërë përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’.

“Kolegu im nga Bashkimi Evropian, Tomas Szunyog e thotë qartë pse na duhet një periudhë mjaft e gjatë tranzicioni dhe informimi për rregulloren e BQK-së. Me fushatën e saj 4 mujore përpara liberalizimit të vizave, Qeveria e Kosovës ka treguar se di të komunikojë siç duhet. Ne kemi nevojë për atë përsëri tani!”, shkruan Rohde.

Më 1 shkurt, hyri në fuqi rregullorja e re e Bankёs Qendrore tё Kosovёs (BQK), nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet qarkullimi i dinarit serb, duke specifikuar se valuta e vetme që lejohet për pagesa/transaksione është euro. Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

Në katër komunat në pjesën veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çmimet nëpër dyqane janë shënuar me dinarë. Viteve të fundit është praktikuar edhe importimi i dinarëve nga Serbia, por nga 1 shkurti i këtij viti, kjo praktikë është ndalur, duke nxitur reagimin e autoriteteve serbe dhe bashkësisë së organizuar ndërkombëtare.

Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) akuzuan Qeverinë e Kosovës se nëpërmjet “lëvizjeve të njëanshme” është duke nxitur “tensione të panevojshme” në pjesën veriore të vendit të banuar me serbë etnikë, ndërsa kërkoi shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së nën arsyetimin se mund të ketë ndikim negativ te komuniteti serb në Kosovë.

Në një përballje të rrallë publike të enjten në Këshillin e Sigurimit të Organizatës Kombeve të Bashkuara (OKB), dy liderë ballkanikë që assesi të dalin nga situata parakonfliktuale, akuzuan njëri-tjetrin për gjendjen e tendosur në marrëdhëniet ndërshetërore, ndërsa shtetet anëtare të OKB-së shprehën drojën për potencialin destruktiv të veprimeve të papërgjegjshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore