Kosova

Kosova dhe Serbia përplasen për dinarin në debatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së


Ilustrim

Në një përballje të rrallë publike të enjten në Këshillin e Sigurimit të Organizatës Kombeve të Bashkuara (OKB), dy liderë ballkanikë që assesi të dalin nga situata parakonfliktuale, akuzuan njëri-tjetrin për gjendjen e tendosur në marrëdhëniet ndërshetërore, ndërsa shtetet anëtare të OKB-së shprehën drojën për potencialin destruktiv të veprimeve të papërgjegjshme.

Në hijën e retorikës së nxehtë dhe akuzave plot zemërim, në selinë e OKB-së në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç peshuan faktorët e alternimit të tensionit dhe krizës së mbrehtë në pjesën veriore të Kosovës të banuar nga serbët etnikë që përpiqen të mbajnë një sistem paralel.

Presidenti i Serbisë shpertheu në propagandë në nisje të seancës së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke thënë se vendimi i fundit i autoriteteve të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në territorin kosovar nuk ilustron vetëm “vazhdimësinë e sulmeve sistematike” ndaj serbëve të Kosovës, por është “krim kundër njerëzimit”.

“Ndalimi i dinarit si mjet i ligjor pagese në territorin e Kosovës është vetëm një akt në vargun masave të planifikuara, të mirëorganizuara dhe sistematike të Prishtinës, të cilat sulmojnë pupullatën serbe dhe qëllimi perfundimtar i së cilave është që në fund të krijojnë kushte të padurueshme jetese dhe të dëbojnë serbët nga territori i Kosovës”, deklaroi presidenti Vuçiç.

“Me vendimin për ndalimin e dinarit, regjimi i Prishtinës drejtpërdrejt pamundëson funksionimin e institucioneve shëndetësore, sociale, arsimore e kulturore që u mundësojnë serbëve t’i sigurojnë vetes dhe familjeve të tyre kushte elementare për të pasur arsim, trajtim shëndetësor dhe medikamente që sot konsiderohet një jetë normale“, shtoi ndër të tjera ai.

E kryeministri i Kosovës gjatë adresimit para organit kryesor të OKB-së, deklaroi se pretendimet e Serbisë për shkelje të të drejtave të serbëve në Kosovë janë thjeshtë gënjeshtra të shpikura nga përkeqësimi i mendjes së një njeriu, instiktet politike të të cilit janë farkëtuar në epokën e ish-udhëheqësit fashist të Serbisë, Sllobodan Millosheviç, i cili kreu gjenocid në Kosovë.

“Ekziston një ironi e thellë dhe e pakëndshme – dhe, sinqerisht, një ndjenjë distopike – në përgjigjen ndaj akuzave të rreme për shkelje të të drejtave të njeriut të bëra nga një vend i njohur se ka kryer gjenocidin e fundit të shekullit të 20-të dhe një qeveri që aktualisht është një nga kërcënimet më të mëdha autoritare për paqen dhe sigurinë rajonale”, tha kryeministri Kurti.

Sëkëndejmi, kryeministri Kurti e kualifikoi gënjeshtër çdo pretendim të presidentit serb të shprehur në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së se nëpërmjet vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ku specifikohet se valuta e vetme për pagesa/transksione në Kosovë është euro, synohet përndjekja e serbëve nga Kosova.

“Më lejoni të jem absolutisht i qartë: Rregullorja nuk bën asgjë për të ndaluar apo penguar Qeverinë e Serbisë që të ofrojë mbështetje financiare për serbët e Kosovës. Çdo sugjerim për të kundërtën nuk është gjë tjetër veçse një propagandë e rreme që synon nxitjen e tensioneve etnike. Rregullorja synon thjesht të sigurojë transparencë dhe ligjshmëri”.

Ai shtoi se Kosova nuk synon të hakmerret ndaj mizorive të pakrahasueshme të Serbisë të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, ndërsa ftoi presidentin serb ta nënshkruajë marrëveshjen e paqes të përkthyer në një dokument për të cilin Kosova dhe Serbia u pajtuan vitin e kaluar në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE).

“Ne nuk do të hakmerremi. Dua drejtësi – dhe drejtësi është drejtësi duke mos qenë hakmarrje. Në mënyrë që të kemi paqe, raporte normale, ata duhet të ndalen së fantazuari se ne kërkojmë hakmarrje. Unë si kryeministër garantoj se nuk po kërkojmë hakmarrje”, deklaroi kryeministri kosovar, duke kërkuar që Serbia të ndalë financimin e kriminelëve dhe terroristëve.

“Kjo duhet të ndalet. Beogradit nuk mund t’i lejohet pafundësisht të financojë kriminelët dhe terroristët e tij në Kosovë me flukse parash të padeklaruara dhe të parregulluara, që rrjedhin lirshëm — dhe ilegalisht — në vendin tonë. Dhe ky është burimi i vërtetë i histerisë së Beogradit mbi rregulloren e BQK-së”, nënvizoi ndër të tjera kryeministri Kurti gjatë adresimit.

Pesë anëtarët e përherëshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së – SHBA, Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Kina – kërkuan nga Kosova dhe Serbia të përmbahen nga “veprimet e njëanshme” që mund të cojnë drejt përshkallëzimit të situatës dhe kërcënimit të sigurisë rajonale, duke i bërë jehonë domosdoshmërisë së zbatimit të marrëveshjeve të normalizimit.

Përfaqësuesja e SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Linda Thomas-Greenfield, nëpërmjet versioneve të larmishme e të nuancuara të neutralitetit dhe neutralizimit, përfshirë tonin alarmues-qortues ndaj autoriteteve të Kosovës, përsëriti kritikën rreth rregullores së BQK-së, duke e kualifikuar si veprim të pakoordinuar dhe të pakonsultuar paraprakisht.

Megjithatë, diplomatja amerikane qartësoi se dialogu i lehtësuar nga BE-ja dhe assesi Këshilli i Sigurimit i OKB-së, duhet të jetë kanali për zgjidhjen e çështjeve të hapura midis Kosovës dhe Serbisë, përfshirë mirëqenien e komunitetit serb në Kosovë. Deklaratën e përfaqësues amerikane e mbështetën të gjitha vendet demokratike liberale, përveç Rusisë dhe Kinës.

“Vendimi është marrë pa përgatitjen e duhur apo konsultime me popullatën lokale. Ne edhe një herë kërkojmë që zbatimi i rregullores së BQK-së të pezullohet derisa të ndërmerren të gjitha procedurat në linjë me standardet evropiane dhe praktikat e qeverisjes së mirë, pra në mënyrë që komunitetet e prekura të informohet më mirë mbi procesin”, tha Greenfield.

Britania e Madhe dhe Franca shprehën shqetësimin për rregulloren e ndryshuar të BQK-së dhe mbylljen e institucioneve paralele serbe të financuara nga Serbia në Kosovë, ndërsa përvec kërkesës për pezullimin e vendimit, konsideruan që cështja e strukturave paralele serbe duhet të zgjidhet përmes krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Serbia u qortua për sulmin terrorist të paramilitarëve serbë vitin e kaluar në Banjskë të Zvecanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, duke kërkuar nga pala serbe të vazhdojë hetimet dhe që grupi kriminal që ngriti në nivele tejet të larta shkallën e egërsisë në veri të vihen para drejtësisë dhe të mbahen përgjegjës.

E zëvendëspërfaqësuesi i Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Dmitriy Polyanskiy, akuzoi Kosovën duke pretenduar se veprimet e fundit të autoriteteve kosovare shkojnë në drejtim të “spastrimit etnik”. Ai shtoi se ndalimi i dinarit serb për pagesa/transaksione në Kosovë është “një hap kriminal” që ua bën jetën akoma më të vështirë serbëve të Kosovës.

Madje, në përpjekje për të ndihmuar “cirkun” e nisur nga presidenti i Serbisë mbi përndjekjen e pretenduar, ai potencoi se situata e komunitetit serb në Kosovë ngjason shumë me situatën e palestinezëve në Izrael, përkatësisht në Rripin e Gazës, ndërkohë që forcat izraelite vijojnë fushatën ushtarake kundër sulmeve të Lëvizjes së Rezistencës Islamike – Hamas.

Përfaqësuesi i Kinës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Zhang Jun, ndonëse mbështeti qëndrimin e Rusisë dhe Serbisë për çështjen e dinarit serb, duke konsideruar se “veprimet e njëanshme” nuk i kontribuojnë përpjekjeve për zgjidhjen paqësore të çështjes së Kosovës, nuk e kualifikoi ndalimin e dinarit sikurse përpjekje të Kosovës për t’i dëbuar serbët nga vendi.

“Veprimet e njëanshme nuk ndihmojnë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe nuk kontribuojnë në paqen dhe stabilitetin e rajonit. Kina i bën thirrje Kosovës që të përmbahet dhe të heqë dorë nga vendimi për dinarin dhe të heqë dorë nga veprimet që mund të tensionojnë situatën”, vlerësoi përfaqësuesi kinez në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në këtë drejtim, seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit për Kosovën në të njëjtën kohë tregoi rëndësinë dhe pafuqinë e organit më të rëndësishëm të OKB-së. Nga njëra anë, ai ofron një forum shumë të volitshëm për shkëmbime dhe përplasje diplomatike, por aftësia e Këshillit të Sigurimit për të nisur ndonjë veprim mbetet shumë i kufizuar.

E përderisa terreni i kërkimit të madh për “përgjigjet” dhe “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë, mbetet për t’u parë nëse lista e skenarëve të dhunës që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese ose nënprodukteve të “pasioneve maniçeane” do të zgjerohet apo serbët lokalë do të adaptohen me vendimin e BQK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore