Sport

Rocky Balboa i Shqipërisë


Si sot katër vjet më parë [17 shkurt 2017], Teodor Janku u nda jeta.

Kush ishte Teodor Janku?

Copëza nga Rocky Balboa i Shqipërisë

Fëmija i pestë dhe i fundit i një familje sportistësh, Todi Janku, siç quhej, lindur më 8 janar 1930 në Tiranë, është legjenda dhe padyshim ndër figurat më të ndritura të boksit edhe sportit shqiptar.

I lënë jetim nga babai [Vasil Janko], në moshën katër vjeçare dhe fëmija i fundit [i pestë] i një familje sportistësh.

“Rocky Balboa” i Shqipërisë – emër i marrë nga seria e filmave ku luan aktori Silvester Stalone ndërkohë që, i tillë si Rocky në sajë të vështirësive që kaloi përgjatë jetës së tij dramatike; nga zdrukthari që në fëmijëri, futboll dhe boks deri në fund të jetës së tij në përpjekje për të fituar para të mjaftueshmë për të blertë një paketë cigaresh apo të fitojë ndonjë triskë për disa gram më tepër buke. Jeta e tij sa e trishtë dhe prekëse, aq edhe motivuese për këdo që ka hasur vështirësi apo vazhdon të hasë.

Kohë më vonë – flasim për vitin 1948 – punëtor i ndërmarrjes hekurudhore, Todi niset si vullnetar në Beograd të Serbisë për t’iu bashkuar ekipit ndërtimor të autostradës Beograd – Zagreb. Ishte miku i tij Osman Stojku, i cili e përfshiu në dyluftimin e tij të parë me doreza boksi; në kampin ku ishin grumbulluar të gjithë punëtorët e autostradës, Osmani dhe Todi vunë re praninë e të disa prej të rinjve nga Suedia që kishin marrë doreza boksi. Pikërisht aty Todi provoi për herë të parë boksin duke u ushtrar me të rinjtë e kampit.

Tre vite më pas, në shtator 1951, ndërsa kryente shërbimin ushtarak në Shkodër, reparti ku ishte dhe vetë Todi kërkonte boksierë për Spartakiadën e Parë Sportive të Ushtrisë. Dëshira për të vizituar familjen në Tiranë, e bëri t’i tregonte komandës se ishte boksier. Nga ana tjetër, Partizani ishte nisur në Bullgari për një kampionat por, vetëm boksieri Hasan Plasa i cili do të përfaqësonte repartin, nuk arriti të niset për arsye biografike. Kështu mbetën dy të peshave të rënda me +80 kg [Janku dhe Plasa] në turneun e Tiranës. Në sallën e madhe të Mensës së Tiranës në rrugën e sotme “Mylsym Shyri” por e njohur si “Tenis Nallbani” në atë kohë, Todi pësoi nokautin e tij të parë e të vetëm në karrierën e tij.

Në 1952-in, miku i tij, Osman Stojku, e shtyn të marri pjesë në kampionatin kombëtarë të zhvilluar tek kinema “Republika” në Tiranë, si përfaqësues i skuadrës “Puna Qendrore”. Veç faktit se ishte i panjohur, Todi as nuk dëshironte të boksonte por uria për pak më shumë bukë se triskat e vlefshme për 900 g bukë, e futi në ringun e kampionatit. Kundërshtari i tij ishte korçari Naum Gjanci. 1,95 m i gjatë dhe 10 kg mbi peshën e lejuar, me eksperiencë dhe diplomë. Përballë tij, Teodor Janku; çdo gjë por boksier jo. Miqt e tij dhe ata që e njihnin dëshmojnë se Todit i digjte kraharori nga duhani që pinte. Kishte frymëmarrje të rënduar. Mbasi pësoi një grusht në hundë dhe gjeti veten në gjak nga Gjanci, në raundin e tretë Janku lëshoi një të majtë befasuese dhe rrufe, e cila rrëzoi përdhe kundërshtarin e tij. Teodor Janku kampion? Po, po. Ashtu ndodhi. E majta e rëndë dhe ‘vrasëse’ e Jankut, do të bëhej pjesë e historisë dhe legjendave të rrëfyera nga spektatorët dhe ata që e jetuan bashkë me të dhe, e ruajtën nga ajo kohë e deri më sot.


Tituj e dekorata

Todi e ka ushtruar boksin nga 1952 deri në 1963. Gjatë karrierës së tij, Todi u bë tre here fitues i anketës së 10 sportistëve më të mirë të Shqipërisë – 1959, 1960, 1961. Për 12 vjet [1952 – 1963], Todi Janku ishte kampion kombëtar dhe fitues i Kupës së Republikës.

Në 7 dhjetor 1995 u dekorua me urdhrin “Naim Frashëri”, në 1996 Janku u emërua “Boksieri i Shekullit”, si dhe super-anketës “10 sportistët më të mirë të shekullit” në 1998. Ndërsa në 1999 është nderuar me titullin “Nderi i Sportit Shqiptar”. Një vit më vonë [2000], Bashkia e Tiranës i dha titullin “Mirënjohje e Qytetit të Tiranës”.

Sa i përket Lojërave Olimpike “Athinë 2004”, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar e vlerësoi me “Urdhrin Olimpik”. Në 2004 u nderua me titullin “Mirënjohje” nga Federata Shqiptare e Boksit ashtu dhe nga klubi sportive Tirana në 2012.

Për Todin është shkruar në “Kalendarin Enciklopedik”,” Fjalorin Enciklopedik”,” Visaret e Sportit Shqiptar”, “Më të Mëdhenjtë e Sportit Shqiptar”, “Homazhe për Artistë e Sportistë Shqiptarë” dhe në dy vëllimet e “Historia e Boksit Shqiptar”.

I përjetshëm kujtimi i tij

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore