Lajme

“Robertson bëri gjithçka për çlirimin e Kosovës”, thotë Hoxhaj për ish sekretarin e NATO-së


Deputeti i PDK-së Enver Hoxhaj dhe ish-sekretari i NATO-s, Lord Robertson.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, është takuar me ish sekretarin e NATO-s, Lord George Robertson, me të cilin ka diskutuar për shtetin e Kosovës.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Hoxhaj ka thënë se Robertson shërbeu në Kosovë në kohërat më të vështira.

“Edhe pas kaq vitesh vazhdon të jetë i mishëruar me fatin e Kosovës, Lord George Robertson, ish-sekretar i NATO-s, që bëri gjithçka për çlirimin tonë në një nga periudhat më kritike për Kosovën. Sot, ishte kënaqësi e madhe që e takova në Londër dhe biseduam për kohët e vjetra, dashurinë e tij ndaj Kosovës dhe të ardhmen e saj”.

“Ishte ndjenjë e veçantë kur pash që në zyrën e tij është e varur një pikturë e punuar me lulëkuqet e Kosovës, e dhuruar nga nxënësit e shkollës së fshatit Poklek”, ka shkruar ai.

Para 8 vitesh gjatë një vizite në Kosovë, Robertson zbuloi përpara studentëve se ka prejardhje shqiptare nga ana e familjes së babait. Ai tha se një test i ADN-së të cilin e kishte bërë kohë më parë, zbuloi se një përqindje e gjeneve nga ana e babit janë shqiptare.

Ai kishte thënë se nuk kishte qenë i informuar për këtë sa ishte sekretarë i NATO-s, por që ky fakt e lidh edhe më shumë me Kosvën.

Për situatën e atëhershme në Kuvendin e Kosovës, ku hidhej gaz nga opozita në atë kohë Lëvizja Vetëvendosje, Robertson bënte thirrje që dhuna ndaj ndërtesave të institucioneve të ndalet, pasi që s’është zgjidhje.

Duke kërkuar përgjegjësi nga politikanët kosovarë që të parandalojnë korrupsionin nëse dëshirojnë që ky vend, me miq të shumtë nga e gjithë bota, të përparojë dhe të integrohet në BE dhe NATO.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore