Gatimi

Rizoto me fileto viçi, delikate në shije e jo vetëm në servirje


Provoni të gatuani rizoton me fileto viçi sipas kësaj recete. Kjo pjatë përmban nivel të ulët të sheqernave dhe ju pasuron me proteina. Burim i pasur i vitaminave A, B6 dhe B12.

Kjo recetë sugjerohet nga shefi i kuzhinës Renato Mekolli.

Përbërësit: 300 gr oriz Arborio, 300 gr fileto viçi, 100 gr parmigiano, 1 lugë mascarpone, 1 lugë gjalpë, lëng pule, 1/2 gotë verë e kuqe, 4 thelpinj hudhre, 4 qepujka, 1 karotë, 1 spec djegës, 1 gr shafran, 1 tufë majdanoz, kripë, piper.

Përgatitja

Në fillim lajmë dhe presim hollë qepët, hudhrat, specin djegës dhe karotën.

Ndërkohë, në një tigan ku kemi hedhur gjalpin shtojmë qepujkat, specin djegës, hudhrat, karotën. I përziejmë për rreth 5 minuta, pa i lënë të marrin ngjyrë të errët.

Shtojmë në tigan fileton e viçit të prerë në rripa dhe i lëmë të skuqen bashkë për 2 minuta.

Pasi kemi përfituar një masë kompakte, shtojmë orizin dhe i përziejmë në zjarr të ulët për 2 minuta të tjera.

E shuajmë me verën e kuqe dhe fillojmë shtimin e lëngut të pulës të përzier me shafranin, duke e përzier vazhdimisht për 10 minuta.

Shtojmë mascarponen, majdanozin, parmigianon, vajin e ullirit, kripën e piperin. I lëmë të ziejnë për 5 minuta.

Një servirje elegante dhe një gotë verë, është gjithçka mund të shtoni në përfundim!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore