Lajme

Rikthimi i LDK-së në zgjedhjet lokale, i atribuohet lidershipit të ri


Me tre tetor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kishte publikuar të dhënat përfundimtare për Asambletë Komunale.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka arritur t’i grumbullojë 170 mijë vota duke dalur partia më e votuar në Zgjedhjet Lokale të këtij viti.

Në vend të dytë u rendit Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 168 mijë e 84 vota apo me 193 ulëse në Kuvendet Komunale. Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është radhitur e treta me 161 mijë e 645 vota.

Njohësi i zhvillimeve politike, Imer Mushkolaj, ka thënë se në disa prej komunave që LDK-ja i ka fituar pa balotazh, suksesi iu atribuohet strukturave lokale, por natyrisht edhe ndryshimi i lidershipit, respektivisht të kryetarit.

Mushkolaj ka deklaruar se Abdixhiku ka luajtur rol edhe në disa raste me përzedhjen e kandidatëve.

Për këtë, sipas tij, Abdixhikut do të duhej ta merrte përgjegjësin për suksesin dhe mos suksesin e tyre.

“Sidomos në Prishtinë, Përparim Rama, ishte zgjedhje e ekskluzive e tij, që pastaj u pranuar edhe nga strukturat e partisë, dhe po ashtu edhe për Mitrovicë, Ferizaj dhe Podujevë”.

“Nëse flasim për rezultatin që është arritur deri tani Gazmend Muhaxheri në Pejë dhe Imri Ahmeti në Lipjan, besoj që kanë fituar për shkak të punës që e kanë bërë në ato komuna, por testi i vërtetë i Lumir Abdixhikut, janë Prishtina dhe Podujeva dhe nëse arrihet që këto dy komuna t’i kthejë LDK-ja mund të konsiderohet një sukses absolutisht i madh i Lumir Abdixhikut dhe partisë”, ka thënë ai.

Njohësi i zhvillimeve politike, Imer Mushkolaj

Lidhja Demokratike e Kosovës në këto zgjedhje lokale sipas Mushkolajt e ka kaluar testin, nëse do të zhvilloheshin edhe zgjedhjet nacionale.

“Nëse flasim gjithmonë në rrafshin lokal është një sukses, që mund të shërben si një shtytje për sukses të LDK-së në zgjedhjet nacionale kur do që mbahen ato”, ka deklaruar ai për Albanian Post.

Lëvizja Vetëvendosje, sipas Mushkolajt, ka gabuar në përzgjedhjen e kandidatëve, por edhe arroganca e numrave e ka dëmtuar.

“Përzgjedhja jo e duhur të kandidatëve edhe me një arrogancë të numrave të shprehur sidomos në muajt e fundit, fitorja më shumë se 51% sikur e krijoj te VV-ja një komoditet të pështjellur me arrogancë të numrave, dhe kjo pastaj është manifestuar edhe në nivelin lokal”.

Sipas Mushkolajt, Vetëvendosja e konsideronte punë të kryer “pavarësisht se kënd e kandiditon për kryetar komune doemos do të fitojë”, por Mushkolaj shton se kjo “ishte një gabim dhe besoj që në këtë rast Vetëvendosje duhet të mësoj nga ky leksion i dhënë nga elektorati”.

Në anën tjetër, analisti Shkodran Ramadani, për Albanian Post ka treguar se nuk pajtohet që LDK-ja ka dalë fituese e zgjedhjeve lokale, duke shtuar se fitorja e partisë matet me “numrin e komunave të fituara”.

Ai ka konsideruar se fituese e këtyre zgjedhjeve është Partia Demokratike e Kosovës, duke treguar edhe arsyet.

Analisti Shkodran Ramadani

“Për shkak se janë 38 komuna dhe 38 gara dhe nuk mundemi t’i lexojmë votat si të ishte një garë e vetme. Edhe në këtë rast LDK-ja është partia e dytë pas Partisë Demokratike të Kosovës, që i ka fituar katër komuna pa balotazh dhe është në tetë komuna në balotazh dhe ka më së shumti asamblistë, ndërsa VV nuk e ka asnjë komunë”, tha Ramadani.

Për rezultatin e mirë të LDK-së në këto zgjedhje, Ramadani po mendon se merita kanë lidershipi i ri i kësaj partie.

“Është rezultat i mirë, dhe për këtë ka merita lidershipi i ri i LDK-së me kryetarin Abdixhiku dhe me kryesin e re”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore