Kosova

Rezultati pozitiv arrihet me “vullnet politik, kurajë dhe pragmatizëm”, Abbott për takimin Kurti-Vuçiç


Nicholas Abbott

“Vetëm vullneti politik, kuraja dhe pragmatizmi mund të prodhojnë rezultat pozitiv”.

Kështu të paktën ka deklaruar ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter, i cili ka komentuar takimin e radhës së nivelit të lartë në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Nga rezultati pozitiv do të përfitojnë të gjithë qytetarët dhe komuniteti. Britania e Madhe mbështet lehtësuesit e Bashkimit Evropian dhe është i gatshëm të ndihmojë në zbatimin e Marrëveshjes”, ka shkruar ndër të tjera Abbott.

Rrugët e qytetit të Ohrit nga mëngjesi i hershëm i 18 marsit janë zbrazur nga makinat civile për shkak të perimetrit të sigurisë të vendosur disa kilometra larg hotelit “Inex Olgica” ku do të mbahet takimi i nivelit të lartë në mes të kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Qindra policë në pothuajse gjithë qytetin janë vendosur si patrulla të rregullta nga hyrja e qytetit e deri tek porta e jashtme e hotelit ku nga ora 10:00 do të vijnë pos Kurtit e Vuçiç-it, edhe dy përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe të sigurisë, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm për dialogun Miroslav Lajcak.

Pos tyre, në event do të jetë edhe zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit, Gabriel Escobar.

Agjenda zyrtare

Pas ardhjes së liderëve në orën 10:00, në orën 10:30 fillojnë takimet e Borrell e Lajcak me liderët individualisht.

Nuk është dhënë njoftimi se me cilin nga liderët do të fillojnë dyshja nga BE.

Këto takime nevojiten për konkretizim të pikave që më pas shërbejnë si hartë në takimin trepalësh mes dy diplomatëve të BE-së dhe Kurtit e Vuçiç-it.

Takimet paraprake janë praktikë e vendosur nga ndërmjetësuesja e parë, paraardhësja e Borrellit, baronesha Catherine Ashton.

Këtu u tregohet liderëve se kush do flas i pari dhe kush i dyti. Në cilat anë do të ulën, sa minuta kanë për fjalën hyrëse dhe për çka konkretisht do të flasin.

Liderët në këto takime tregojnë gjithashtu pikat e tyre konkrete dhe më pas arrihet pajtim se çka duhet të flitet e çka jo. E gjitha bëhet që të mos krijohen befasi në takim, por secili paraprakisht ta dijë rolin e vetë.

Më pas fillon takimi trilateral.

Për shkak të semantikës së përdorur dhe ambiguitetit në deklarata, pak mund të kuptohet se cilat janë qëndrimet e dy palëve para takimit.

Megjithatë, deklarimet e ndërkombëtarëve, siç ishte ai i 17 shkurtit nga Escobar, pas takimeve të zhvilluara në Beograd dhe Prishtinë, kanë dhënë nota optimiste për pajtim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore