Lajme

Rezultatet e PISA-ve


Foto: Albanian Post.

“Arsimi është shtylla bazë mbi të cilën zhvillohen të gjitha fushat e tjera të shtetit dhe shoqërisë”, ishte deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti para dy vitesh atëherë edhe kur veçse kishte nisur mandatin e tij në këtë pozitë e ku premtohej progres në këtë drejtim, por rezultatet e publikuara të testit “PISA” treguan një realitet tjetër për Kosovën.

Më keq se në vitin 2015, 2018, ky vlerësim e ka gjetur Kosovën në vitin 2022.

Për vitin 2022, rezulton që 83 për qind e nxënësve nuk kuptojnë nga të lexuarit, për dallim nga viti 2018 ku përqindja ishte 78 për qind.

Shkrimi dhe leximi – janë dy gjërat elementare që synohet që nxënësit t’i mësojnë në shkollën fillore.

Megjithatë kur është puna që të njëjtat të praktikohen në testin “PISA” – studim mbarëbotëror i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, njohuritë e nxënësve kosovarë dështojnë.

Këto rezultate nuk e surprizuan aspak ministren e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci. Tha se rezultate për të kanë qenë të pritshme.

“Rezultatet të cilat janë bërë publike kanë qenë të pritshme, duke marrë parasysh që e kemi pasur një situatë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me probleme. Kjo ka qenë e pritshme”, tha Nagavci.

Rezultatet për lexim 2022.

 “Politikat në arsim për përfitime materiale”

Sipas njohësve të arsimit, çdo parti politike që vjen në pushtet ka për qëllim vetëm përfitimet materiale, prandaj situata në arsim vazhdon të jetë kaq e dobët.

“Për të mbledhur vota” dhe “për të përfituar materialisht e politikisht”, është mënyra se si është shfrytëzuar arsimi, thotë njohësi i arsimit, Argjend Osmani, në një përgjigje për Albanian Post.

“Degradimi i këtillë i fushës së arsimit ka sjellur rezultatet dhe rënkim të vendit tonë në fund të listave, sipas vlerësimeve ndërkombëtare”.

Sipas Osmanit, këto rezultate duhet të shikohen si dështim i plotë i Qeverisë Kurti.

“Rezultatet e publikuara nga PISA, kanë shpërfaqur dështimin e plotë të qeverisë në fushën e arsimit. Për fat të keq, përkundër ndërrimit të partive politike në qeverisje të vendit, deri më tash nuk është arritur që të kemi një mobilizim shoqëror dhe investime serioze në fushën e arsimit”, deklaron ai.

Ilustrim.

Meqë e ka përcjellur arsimin me vite, ai e sheh vetëm një zgjidhje për të dalur nga kjo situatë.

“Për të gjetur zgjidhje duhet mobilizim i përgjithshëm kombëtar duke e shpallur fushën e arsimit me prioritet të lartë, duke investuar vlera të konsiderueshme të mjeteve në ngritjen e kapaciteteve njerëzore, përmirësim të infrastrukturës, kurikulë, aplikim efekti të teknologjisë informative për qëllime edukative, mjete mësimore”.

Në rast se nuk veprohet në këtë drejtim, Osmani potencoi se ajo çka do të shohim edhe vitet e ardhshme do të jetë vetëm regres dhe asnjëherë progres.

“Përderisa nuk kemi qasje të tillë zhvillimore dhe mendësi progresive vendi ynë kurrë nuk do të përjetojë zhvillim të mirëfilltë në këtë fushë, e si rezultat do të mbetet edhe më tutje në fund të listës për nga cilësia e arsimit që e ofron”.

“Testi PISA – dëshmi valide e cilësisë së vërtetë”

Ndërsa, drejtori i Organizatës “EdGuard”, Rinor Qehaja, thotë se Kosova vazhdon të mësojë nxënësit në mënyrë mekanike, prandaj edhe vinë dështimet si testi “PISA 2022”.

Ai në një bisedë për Albanian Post e konsideron këtë test në përputhje me realitetin.

“Testi PISA është dëshmi shumë valide e cilësisë së vërtetë të mësim nxënies në shkollat tona. Nuk mund te ketë rezultat të mirë në testin PISA kur mësimdhënia ka në qendër të mësuarit mekanik”, thotë Qehaja për Albanian Post.

Rezultatet për shkencë

Qehaja, thekson se përmirësimin e cilësisë duhet ta kemi për nxënësit, e jo vetëm për përmirësimin në radhitjen e testit PISA.

“Përtej çfarëdo reforme tjetër, çfarëdo dokumenti tjetër strategjik, vëmendja duhet të kthehet në klasë, pra, cila është cilësia e mësimdhënies ne klasë. Përmirësimi në testin PISA nuk duhet te jetë qëllim në vete, por përgjegjësi e jona karshi nxënësve”.

Si në vitet paraprake, edhe sipas Qehajes Kosova vazhdon të qëndrojë dobët në përmirësimin e arsimit.

“Dallimet ndër vite në rezultate janë minimale, pas që ndryshimet në cilësi janë të tilla, kurrikula e bazuar në kompetenca nuk ka zbatim më të mirë sesa para disa dekadash – për rrjedhojë mësimdhënia është e njëjtë për cilëndo gjeneratë”.

Kosova, në vitin 2015 është radhitur në vendin e 68-të, në mesin e 72 vendeve që kanë marrë pjesë në test.

PISA e dytë në Kosovë është mbajtur në vitin 2018 dhe nga rezultatet e publikuara më 2019, Kosova ka dalë e 77-ta në mesin e 79 vendeve që i janë nënshtruar testimit.

Cilësia e arsimit në Kosovë është kritikuar edhe në një raport që ka publikuar Banka Botërore në vitin 2020, në të cilin është thënë se nxënësit në Kosovë “kanë ngecje të madhe në mësimnxënie”.

Kosova del se ka cilësi më të dobët të arsimit edhe në krahasim me vendet fqinje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore