Lajme

Kosova gati e fundit në “PISA 2022” për lexim


Ilustrim

Nga 80 shtete pjesëmarrëse, Kosova ka zënë vendin e 76 në rezultatet e testit PISA për lexim për vitin 2022, ndërsa vendin e 77-të nga 80 vende pjesëmarrëse e ka marrë për shkencë.

Më mirë Kosova nuk qëndron as në matematikë. Nga 80 vende pjesëmarrëse, është renditur e 74.

Këto rezultate janë publikuar këtë të marte, derisa pjesëmarrës në këtë test kanë qenë 6627 nxënës.

Për këtë çështje ka dalur që të flasë në një konferencë për media Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arëbrie Nagavci, ku ka deklaruar se rezultatet e PISA-s për Kosovën kanë qenë të pritshme, duke u përpjekur që rezultatet e dobëta t’i arsyetojë me problemet që kanë ekzistuar me mësimin gjatë pandemisë.

“Rezultatet të cilat janë bërë publike kanë qenë të pritshme, duke marrë parasysh që e kemi pasur një situatë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me probleme. Kjo ka qenë e pritshme”, tha Nagavci.

Arberie Nagavaci

Këtu, theksoi ajo, “e shtojmë që pandemia ka sjell sfida të tjera të mësimdhënësit e nxënësit për shkak të mungesës së kushteve”. “Këtu e shtojmë edhe ndërrimin e qeverisjeve. Por ne e kemi pasur fokus në zhvillimin e politikave për përmirësimin e cilësisë në arsim”, shtoi.

Këto rezultate që janë publikuar këtë të marte, e renditin Kosovën edhe më keq se sa ka qenë në vitin 2018.

Në matematikë, Kosova këtë vit ka marrë 355 pikë, krahasuar me vitin 2018, 11 pikë më pak.

Rezultatet për matematikë

Ndërsa, në shkencë Kosova ka marrë 357 pikë, apo tetë pikë më keq sesa në vitin 2018.

Rezultatet për shkencë

Tek leximi, Kosova ka marrë 342 pikë, 11 më pak sesa në vitin 2018.

Rezultatet për lexim

Në vitin 2018, nxënësit kosovarë kishin shënuar në lexim 353 pikë, në matematikë 366 dhe në shkencë 365.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore