Shqipëria

Retro zbarkon në Shkodër, Jazz e Swing në kryeqytetin e Veriut


Fundjava e 29-30 majit, do të shohë kryeqytetin e veriut, Shkodrën, me një ngjyrosje makinash historike nga koleksioni i Retro.al dhe nën tingujt e muzikës Jazz dhe Swing, nga Hemingway Fan Club Albania.

Ky, do të jetë një rikthim në vitet 20’-30’ të historisë.

Pamjet e para nga mjetet që kanë filluar të parkohen në Shkodër, i ka postuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Facebook.

“Shkodra retro e bukur si qëmoti”, shkruan ai.

Ngjarjet që priten, janë të lidhur ngushtësisht me makinat Retro, por jo vetëm. Ekspozita e tyre pritet të ndiqet nga koncerte muzikore në zhanrin Jazz dhe Swing. Në orët e pasdites ndërkaq, priten evente, të cilat do të përfshijnë kuartete apo edhe DJ dhe balerina profesioniste me kërcimet e epokës.

E diela e 30 majit do të jetë ajo e paradës së makinave. Nisja do të jetë nga qyteti i Shkodrës dhe vendmbërritja në Shirokë.

Ky projekt gjen mbështetjen edhe të Institutit Italian të Kulturës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore