Lajme

Reduktohen punët në Pallatin e Drejtësisë për arsyeje të mungesës së oksigjenit


Pallati i Drejtësisë.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), do të reduktoj punën e tyre në Objektin C të Pallatit të Drejtësisë ku janë të vendosura Prokuroria e Apelit dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës, për arsyeje se konsiderojnë se objektet kanë mungesë të oksigjenit.

E njëjta arsyeje mund të shkaktoj probleme shëndetësore tek stafi të cilët janë të punësuar në këto institucione.

“Ky reduktim në këto dy prokurori vjen si rezultat i gjendjes së renduar në këtë objekt, si pasojë e mungesës së theksuar të oksigjenit dhe problemeve shëndetësore të shfaqura në baza ditore tek prokurorët dhe stafi mbështetës i këtyre dy prokurorive”.

“Me qëllim të realizimit të punëve emergjente, këto dy prokurori do të caktojnë prokurorë dhe staf administrativë për të kujdestaruar dhe realizuar vetëm veprimtaritë e natyrës urgjente dhe veprimet e caktuara sipas afateve ligjore”, thuhet në njoftimin e KPK-së.

Pallati i Drejtësisë.

Ndërkaq, për rregullimin e një çështje të tillë nga KPK-ja është thënë se përgjegjëse është Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

“Situata e krijuar në këtë objekt me pasoja shëndetësore nuk i takon përgjegjësisë së Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke qenë se i njëjti ka ndërmarrë veprime të njëpasnjëshme brenda kompetencave të veta për gjetjen e një zgjidhjeje të këtij problemi madhor. Ky objekt është nën menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme e cila është kompetente dhe përgjegjëse për ndërmarrjen e veprimeve të mëtutjeshme”, vijon tutje njoftimi.

Teksa, ka bërë thirrje tek MPB që të implementojnë sa më shpejtë kontratën për hapjen e dritareve në këtë objekt.

“Deri në realizimin e këtij projekti, prokuroritë e lartcekura do të punojnë sipas planit emergjent”.

Nga Këshilli, është sqaruar se nuk do të mbajnë përgjegjësi për kallëzimet penale dhe paditë civile eventuale që mund të paraqiten lidhur me pasojat shëndetësore të shkaktuara nga qëndrimi në këtë objekt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore