Lajme

Reagon Pacolli për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës – “Duhet të vlerësohet nga historianët”


Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës si dhe kreu i partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës si dhe kreu i partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka reaguar në lidhje me restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës nga Ministria e Kulturës si objekt me trashëgimi të veçantë kulturore.

Sipas Pacollit, shtëpia e Xhafer Devës duhet të vlerësohet nga historianët.

“Xhafer Deva duhet të vlerësohet nga historianët, jo nga ata që nuk flasin kurrë për krimet e komunizmit ndaj shqiptarëve si masakra e Tivarit, vrasja e Shaban Polluzhës dhe spastrimi etnik në Kosovën e pas vitit 1945. Deva sulmohet nga narrativa serbe, e cila nuk është e Kosovës”, ka shkruar Pacolli në Twitter.

Edhe, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rhode, ka reaguar i “shqetësuar” në lidhje me restaurimin e shtëpisë së Devës.

Ai shkroi se Xhafer Deva ishte “një bashkëpunuesi/protagonisti të njohur me nazistët i grupit famëkeq SS Skanderbeg”, dhe se nuk duhet të “shpërlahet historia”.

“Mos e shpërfytyroni të vërtetën për Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët lokalë. Por, mbroni faktet”, shkroi ai në Twitter.

Ambasadori gjerman në Kosovë gjithashtu tha se “kultura e kujtesës dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore duhet të jetë mundësi për t’u përballur me të kaluarën në një mënyrë të hapur dhe të vërtetë”.

Rhode u shpreh se ambasada gjermane është e gatshme të mbështesë cilëndo qasje “të arsyeshme” për të ruajtur kulturën e kujtesës në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore