Lajme

Reagon edhe QUINT-i pas deklarimit të Kushtetueses ka moszbatim të vendimit për Manastirin e Deçanit


Manastiri i Deçanit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se ka moszbatim të vendimeve të Gjykatës lidhur me çështjen e Manastirit të Deçanit.

Gjykata Kushtetuese kishte marrë vendim para 4 vjetwsh, ku i njihej e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë. Mirëpo, ky vendim nuk kishte gjetur zbatim nga ana e komunës së Deçanit.

Komuna dhe banorët e saj kishin protestuar lidhur me vendimin e gjykatës, madje ata argumentonin se manastiri është objekt kulti i shqiptarëve por se i njëjti është përvetësuar nga Kisha Serbe.

Gjykata Kushtetuese në njoftimin informues për kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi, thotë se vendimet e saja sa i përket interpretimit të Kushtetutë janë përfundimtare dhe se ato duhet zbatuar nga institucionet e shtetit.

“Gjykata ka bërë rivlerësimin e zbatimit të Aktgjykimeve të saj, dhe pas analizës të shkresave përkatëse, gjithashtu ka konstatuar edhe mungesën e zbatimit të dy Aktgjykimeve tjera, dhe përkitazi me të cilat, për pasojë ka nxjerrë Aktvendime për Mos përmbarim dhe për të cilat Ju njoftojë përmes kësaj shkrese”.

Deklarata e Gjykatës Kuhtetuese për Manastirin e Deçanit, drejtuar Kryeprokurorit të Shtetit

Reagimi i QUINT-it dhe BE-së

Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-të që njihen ndrysh si vendet e QUINT-it, e kanë mirëpritur këtë deklaratë.

Në komunikatën e Shefave të Misioneve të këtyre shteteve thuhet që është shqetësuese që Kushtetuesja detyrohet t’ua përkujtojë institucioneve që duhet të zbatojnë vendimet.

Shtetet e QUINT-it “marrin parasysh dhe mirëpresin deklaratën unanime të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të datës 24 shtator lidhur me moszbatimin e vendimeve të mëhershme të saj, përfshirë edhe të vendimit të vitit 2016 për regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit. Është shqetësuese se Gjykata Kushtetuese e Kosovës detyrohet t’ua përkujtojë institucioneve ekzekutive të garantojnë dhe zbatojnë sundimin e ligjit në këto raste më se të vonuara”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu në deklaratë të vendeve të QUINT-it i bëhet thirrje Qeverisë që pa vonuar ta zbatojë në përpikëri vendimin e Kushtetueses për çështjen e Manastirit të Deçanit.

“Respektimi i sundimit të ligjit është obligim i të gjitha qeverive. Ne e nxisim fuqishëm Qeverinë e Kosovës që të vazhdojë pa vonesë me zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Mbështetja e Kosovës për sundim të ligjit dhe gjyqësor të pavarur bazohet në zbatimin e plotë dhe të barabartë të të gjitha vendimeve të Gjykatës, pavarësisht mospajtimeve politike”, përfundon komunikata e QUINT-it.

Reagimi i QUINT-it

Gjithashtu, reagim lidhur me deklaratën e kushtetueses ka pasur edhe  nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Szunyog  ka thënë se e mirëpret deklaratën e Gjykatës.

“E mirëpres deklaratën e sotme të Gjykatës Kushtetuese që kërkon nga autoritetet e Kosovës të ekzekutojnë të gjitha vendimet e mëparshme të Gjykatës, dhe vendimin për moszbatim të dy vendimeve, përfshirë vendimin e vitit 2016 në rastin e pronës së Manastirit e Deçanit”.

Ai tutje ka thënë se dështimi në ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese shkel si Kushtetutën ashtu edhe parimet themelore të sundimit të ligjit.

Szunyog, tutje, u ka bërë thirrje autoriteteve të ndërmarrin hapa për të siguruar që vendimet e Gjykatës Kushtetuese të ekzekutohen menjëherë dhe në mënyrë arbitrare.

“BE-ja është e përkushtuar për zhvillimin e Kosovës. Respektimi i sundimit të ligjit dhe vendimeve gjyqësore është një vlerë themelore evropiane dhe çelësi për çdo përparim. Nga kjo përfitojnë të gjithë në Kosovë. Qëllimi ynë është i qartë. Ne e shohim Kosovën me një perspektivë evropiane, duke ndarë vlera të përbashkëta”, ka thënë ai.

Reagimi i EU-së për deklaratën e Gjykatës Kuhtetuese

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore