Lajme

Reagimi i Presidencës së Kosovës për deklaratën e Daçiç: Dëshmoi se Serbia dhe Rusia janë një


Presidenca e Kosovës.

Shefi i stafit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeparlamentarit serb, Ivica Daçiç, i cili përsëri ka shprehur lojalitetin ndaj Vlladimir Putin, duke deklaruar se “kushdo që kërkon që Serbia të vendos sanksione kundër Rusisë, nuk janë kundër Rusisë por Serbisë”.

Vela përmes një cicërimë në rrjetin social ‘Twitter’, ka thënë se Daçiç me këtë deklaratë ka dëshmuar se Rusia dhe Serbia janë një.

“Kryeparlamentari i Serbisë Daçiç e ka thënë të vërtetën e hidhur se Serbia dhe Rusia janë një. Një deklaratë e tillë duhet të mjaftojë që institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare të rishqyrtojnë pranimin e Serbisë në BE”, ka shkruar Vela.

Duke shtuar se, “një ‘kalë i Trojës’ rus nuk mund të pranohet në BE”.

Daçiç, tha se përveç Rusisë, nuk kanë në kë tjetër të mbështeten për të “luftuar pavarësinë e Kosovë”.

Kryeparlamentari serb u shpreh se, “nuk është në interesin e Serbisë” të ndjek politikat perëndimore e as lindore, por “të qëndrojë brenda interesave vetanake”.

“Nesër ata do t’i kërkojnë Kosovës të futet në NATO, nesër do t’i kërkojnë Kosovës të futet në OKB. Dhe, ne, te kush do të mbështetemi, te Rusia. Nëse u vendosim sanksione, nuk kemi më te kush të mbështetemi. Na ktheni parimin e integritetin territorial, anulojeni njohjen e Kosovës, pastaj flasim”, ka thënë Daçiç.

Ai përsëriti se Serbia qëndron në mbështetje “integritetit territorial të Ukrainës”, por se nuk vendosin sanksione ndaj Rusisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore