Lajme

Daçiç kërkon “tërheqjen e njohjes së Kosovës” për të konsideruar “sanksionet kundër Rusisë”


Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç, përsëri ka shprehur lojalitetin ndaj Vlladimir Putin, duke deklaruar se “kushdo që kërkon që Serbia të vendos sanksione kundër Rusisë, nuk janë kundër Rusisë por Serbisë”.

Daçiç tha se përveç Rusisë, nuk kanë në kë tjetër të mbështeten për të “luftuar pavarësinë e Kosovë”.

Kryeparlamentari serb tha se “nuk është në interesin e Serbisë” të ndjek politikat perëndimore e as lindore, por “të qëndrojë brenda interesave vetanake”.

“Nesër ata do t’i kërkojnë Kosovës të futet në NATO, nesër do t’i kërkojnë Kosovës të futet në OKB. Dhe, ne, te kush do të mbështetemi, te Rusia. Nëse u vendosim sanksione, nuk kemi më te kush të mbështetemi. Na ktheni parimin e integritetin territorial, anulojeni njohjen e Kosovës, pastaj flasim”, ka thënë Daçiç.

Daçiç përsëriti se Serbia qëndron në mbështetje “integritetit territorial të Ukrainës”, por se nuk vendosin sanksione ndaj Rusisë.

“Këta njerëz, po të njëjtit që po sulmojnë Rusinë, kanë shkelur integritetin tonë territorial dhe na kanë bombarduar”, propagandon ish-zëdhënësi i Sllobodan Millosheviç, Ivica Daçiç.

Kryeparlamentari serb gjithashtu akuzoi BE-në dhe ShBA-në, se “nuk mund të ndikojnë te Kurti”.

“Kurti është superfuqi, si Putini. Kurti është ai që mund t’ua ndaloj serbëve të votojnë në Kosovë. QUINT dhe NATO, e të tjerët s’mund të ndikojnë te ai. Edhe sa kohë do të gënjeni. Kjo është hipokrizi drejt Serbisë. Ne ndjekim politika që janë në interesin tonë, dhe nuk do të këpusim degën në të cilën jemi ulur”, tha Ivica Daçiç.

Ai tha se “nëse imponojmë sanksione ndaj Rusisë, kjo do të thotë që Kosova do të anëtarësohet në OKB”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore