Lajme

“Raundi i dytë i Zgjedhjeve Lokale do të organizohet në 66 për qind të vendvotimeve”


Valmir Elezi

Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se raundi i dytë i Zgjedhjeve Lokaleve në Kosovë, që pritet të mbahet të dielën e 14 nëntorit do të organizohet në 1 mijë e 638 vendvotime nga 2 mijë e 477.

Sipas tij numri i qytetarëve me të drejtë vote në raundin e dytë, e që u takojnë 21 komunave, është 1 një milion 260 mijë e 571 apo 624 mijë e 887 më pak krahasuar me numrin e votuesve të certifikuar në raundin e parë për zgjedhjet në 38 komuna.

“Kjo është harta e raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të 21 Komunave, që do të mbahet këtë të diele, më 14 nëntor 2021. Harta tregon se nga aspekti organizativ procesi i votimit do të mbahet në 66% të vendvotimeve apo në 1 mijë e 638 nga 2 mijë e 477”, ka thënë Elezi.

Harta e raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të 21 Komunave

KQZ, në mbledhjen e tij të radhës me tre nëntor të këtij viti kishte shpallur rezultatet përfundimtare për Asamblet Komunale.

Kështu bazuar në të dhënat e KQZ-së, Lidhja Demokratike e Kosovës ka arritur të marrë 170 mijë vota duke u bërë partia më e votuar në Zgjedhjet Lokale.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 193 ulëse në Kuvendet Komunale duke arritur të grumbullojë 168 mijë e 84 vota.

Në anën tjetër Partia Demokratike e Kosovës ka dalë si partia e tretë në këto Zgjedhjet Lokale duke akumuluar 161 mijë e 645 vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që ka marrë 9 mijë e 863 vota në tërë vendin do të ketë 120 asamblistë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore