Film

Rasti i çuditshëm i Dr. Xhekill dhe Z. Hajd – 123 filma për një novelë


Filmi i parë i novelës së Robert Louis Stevenson “The Strange Case of Dr. Jekyll and Mr. Hyde (1886)” u realizua më 1908 nga regjisori Otis Turner, e që prej atëherë janë filmuar edhe 123 të tjerë. Troy Howarth e quan veprën e Stevenson-it si “vepra më e filmuar letrare e kohës së filmit të heshtur”.

Doktori Xhekill dhe alteregoja e tij Zoti Hajd, janë dy personazhe në një. Ditën doktori më i respektuar, natën përbindëshi më i tmerrshëm. Ditën paragon i shkencës, natën një maniak vrasës.

Kjo novel/film është më problematike se ç’duket. Luciditeti psikologjik, skizmi psikanalitik, konkretësia shkencore, ambiguiteti filozofik, janë të gjithë këto përbërës të pareduktueshëm që këtë vepër, qoftë si novelë e qoftë si film, e bëjnë pasuri artistike në vetvete.

Konfuzioni moral se ku qëndron njeriu në dikotominë e së mirës dhe së keqes, dhe zbehja e vijës ndarëse mes këtyre dy kategorive morale, është lajtmotivi që e përçon të gjithë veprën.

Pozitivizmi shkencor në krijimin e një formule kimike që transformon natyrën e doktorit Xhekill në përbindëshin Hajd. Elementet psikanalitike dhe zhvendosjen e impulseve më të këqija dhe të pakontrolluara të natyrës njerëzore në sipërfaqe, nga ID-i frojdian në autoritetin e Ego-s së Xhekillit.

Studiuesja polake Urszula Czyyewska këtë vepër e sheh si “një histori senzacionale e cila mund të lexohet si një alegori e së Keqes që në mënyrë të vazhdueshme e pushton njeriun, e cila, këtë vepër e sjell më afër zhanrit të horrorit romantik”.

Ajo gjithashtu identifikon edhe një seri analogjish të tjera interesante në veprën e Robert Louis Stevenson-it, dhe shkruan se “është e rëndësishme që tek vepra e Stevensoni të vërejmë këndet e errëta të përshkrimeve urbane barabartë me këndet e errëta të mendjes ose psikikës njerëzore.”

Në qoshet dhe ngushticat e errëta të Londrës së shekullit 19-të ai përshkruan gjithfarë trazirash, dhunë, plaçkitje, pisllëqe, jo siguri, një gjendje të paligjshme etj, dhe analogjikisht në qoshet e errëta të mendjes ose psikikës ndodhet, instinktet destruktive, seksuale, të cilat duhet filtruar dhe mirëmbajtur për të mos rënë në kataklizëm psikik.

Gjërat që konventa shoqërore i lë në hije dhe të shtypura, Xhekilli duke u shndërruar në alteregon e tij Hajd i realizon.

Transformimet e vazhdueshme të doktorit Xhekil në përbindëshin Hajd na sugjerojnë se kur njeriu e braktisë veten sociale dhe konstruktet e konventave shoqërore për një anarki primordiale animaleske, të pakontrolluara nga sensi i të jetuarit si njeri racional dhe i matur, ai bie në humnerën e çmendurisë së Hajdit.

Sidoqoftë, pas interpretimeve psikanalitike, kritikë të shumtë e kanë parë këtë vepër edhe mbi prizmin e abuzimit me alkool dhe mospërmbajtjes.

Disa tjerë edhe si abuzim me substanca narkotike të ndryshme, si opium ose kokainë. Droga këto të qasshme shumë lehtë në at kohë edhe nëpër dentistë.

Interpretime të tjera e shohin këtë vepër edhe nën lentet religjioze, ku Hajdi është djalli i brendshëm i çliruar i Xhekillit, pasi që edhe vepra përmban disa referenca biblike që janë të diskutueshme e që nuk mund të mënjanohen si të parëndësishme.

Po ashtu, kritikë të tjerë e kanë dhënë edhe një interpretim në lidhje me seksualitetin e autorit, pasi që prezenca e gjinisë femërore është gati se zero.

Një kritike letrare dhe feministe, Elaine Showalter, e ka quajtur veprën si “paniku i homoseksualitetit në këtë shekull të fundit, zbulimi dhe rezistenca ndaj vetes homoseksuale”.

Megjithatë nga cilido spektër që interpretohet, vepra shtjellon dualizmin e brendshëm njerëzor, ku njeriu është dy. Vetja e tij sociale dhe një vete personale, e cila, çuar në ekstremet e saj, mund të bëhet gjëja më destruktiv dhe fatale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore