Lajme

Raporti i inteligjencës amerikane: Dodik po merr hapa për shkëputjen de fakto të Republikës Srpska


Millorad Dodik

Në raportin e përvjetshëm të vlerësimit të kërcënimeve globale të sigurisë, komuniteti i inteligjencës amerikane ka vlerësuar se Ballkani Perëndimor mbase do të përballet me një rrezik të shtuar të dhunës së lokalizuar ndëretnike gjatë vitit 2024, posaçërisht në Bosnje e Hercegovinë, për shkak të presidentit ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në BeH – Millorad Dodik, i cili kërcënon vazhdimisht për shkëputje.

“Liderët nacionalistë ka shumë të ngjarë t’i acarojnë tensionet për të përfitime politike, ndërsa aktorët e jashtëm do t’i shfrytëzojnë dallimet etnike për ta rritur apo mbrojtur ndikimin e vet rajonal, apo për të mos e lejuar integrimin më të madh të Ballkanit në institucionet euroatlantike dhe të Bashkimit Evropian”, thuhet në raport.

Raporti thekson se “lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, po ndërmerr hapa provokues për ta neutralizuar mbikëqyrjen ndërkombëtare në Bosnje dhe për ta siguruar de fakto ndarjen për Republikën e Srpska”.

“Veprimi i tij mund t’i nxisë liderët e popullsisë boshnjake [myslimanët e Bosnjës] t’i rrisin kapacitetet e veta për t’i mbrojtur interesat e veta dhe kështu mbase të nxisin konflikte të dhunshme, të cilat mund t’i tejkalojnë forcat paqeruajtëse”, thuhet në raport.

Ndryshe, Dodik është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), dhe Britania e Madhe, derisa një gjë e tillë po kërkohet që të bëhet edhe nga Bashkimi Evropian.

Dodik vazhdimisht kërcënon për shkëputje të RS-së nga BeH, dhe shkel hapur Marrëveshjen e Dejtonit (marrëveshja që i dha fund luftës në BeH, më 1995), madje ai refuzon që ta njohë autoritetin e Përfaqësuesit të Lartë në BeH, Christian Schmidtt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore