
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka parashikuar që ekonomia e Kosovës do të rritet me 3.5 për qind në vitin 2023, duke mos e ndryshuar kështu projeksionin e tetorit të vitit të kaluar.
Produkti i Brendshëm Bruto i Kosovës pritet të rritet në 3.9 për qind në vitin 2024, ka bërë të ditur FMN-ja në raportin e muajit prill të “Perspektivës Ekonomike Botërore” të publikuar të martën.
Inflacioni mesatar i çmimit të konsumit në Kosovë, sipas FMN-së do të bjerë në 5.5 për qind në vitin 2023 nga 11.7 sa ishte vitin e kaluar.
Ndërsa në vitin 2024 inflacioni në Kosovë pritet të bie në 2.6 për qind sipas raportit të FMN-së.
Për sa i përket rajonit, Mali i Zi do të ketë një ecuri të mirë ekonomike me 3.2 për qind rritje në vitin 2023.
Ndërsa Serbia dhe Bosnja e Hercegovina do të zgjerohen me 2 për qind ndërsa për Maqedoninë e Veriut pritshmëritë janë mjaft pesimiste me vetëm 1.4 për qind.
Ndryshe nga projeksionet e FMN-së, ministri i Financave, Hekuran Murati, kishte thënë se rritja ekonomike në vend gjatë vitit 2023 pritet të jetë 5.5 për qind.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com