Shqipëria

Rama, Xhaka, Shaqiri dhe ‘kinse patriotët’


Një deklaratë e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, lidhur me përdorimin e figurës së lojtarëve të kombëtares së Zvicrës, por të cilët janë me origjinë shqiptare, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, për qëllime politike, ka trazuar rrjetin, duke shkaktuar kështu edhe një reagim të mëtejshëm të vetë kreut të Qeverisë shqiptare.

Gjatë një komunikimi medial në Facebook, Rama shpjegoi – duke iu përgjigjur pyetjes së një komentuesi në faqen e tij – se nuk ka reaguar pas fitores së Zvicrës ndaj Serbisë, pasi nëse do t’i ndante dy lojtarët me origjinë shqiptare nga pjesa tjetër e kombëtares zvicerane të futbollit, atëherë ai “do të ishte duke i përdorur ata për politikë dhe në mënyrë aspak serioze”.

Ndaj, mbi këtë premisë, ai u përgjigj se një sjellje e tillë nga ana e një kryeministri shqiptar, do të ishte “një fryrje e zjarrit të një nacionalizmi qesharak”.

Rama: Veçimi i Shaqirit dhe Xhakës, përdorim politik dhe jo dinjitoz

Mirëpo, në rrjet, përmes komenteve të shumta, qoftë qytetarë apo edhe eksponentë politikë, kanë aluduar se kjo sjellje e Ramës, lidhet më së shumti me miqësinë që ky i fundit ka me presidentin serb, Alexander Vuçiç dhe se Xherdanin e Granitin, nuk i ka përmendur për të mos e mërzitur mikun serb.

Këtu, duke i kujtuar kryeministrit shqiptar edhe postime të tijat të shkuara, ku ka shkruar për dy lojtarët, pas një ndeshjeje po të Zvicrës me Serbinë, në kupën e botës të vitit 2018.

Asokohe, Zvicra e mundte Serbinë me rezultatin e ngushtë 1 me 2, falë pikërisht golave të Xhakës dhe Shaqirit.

“Janë ca kinse patriotë më të mëdhenj se të tjerët e disa kinse të zgjuar më shumë se të tjerët, që fjalëve të mia sot u kundërvihen me postimet e mia dikur për shqiponjën e Xherdanit e Granitit! U qëndroj 100% të dyjave dhe ata që nuk duan ta kuptojnë psenë nuk kam se si i ndihmoj”, shkruan Rama si përgjigje për ta në Twitter.

Teksa bashkëngjitur, vendos edhe dy postimet, ku në të parin, ka shkruar thjesht “Foto e ditës” dhe daton më 22 qershor 2018.

Teksa, e dyta, ka të bëjë me hapjen e një llogarie bankare, për të mbledhur fonde dhe për të paguar gjobën që dy lojtarët morën pas ndeshjes, pasi kishin bërë me duar simbolin e shqiponjës, në shenjë festimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore