Shqipëria

Rama qartëson qëndrimin e tij: Çfarë ndodhi në Kuvendin e Kosovës është e turpshme, unë e di sa poshtë Kosova ka rënë në sytë e botës


Krejtësisht e panevojshme dhe e pajustifikueshme është sjellja e deputetëve të Kuvendit të Kosovës sot, në sytë e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, pas dhunës së shfaqur në sallën e Parlamentit ku ka pasur përleshje mes deputetëve.

Më parë, Rama ka reaguar shkurtimisht në median sociale Twitter, ku ka thënë se gjithçka është skandaloze dhe e dëmton edhe më tej imazhin e Kosovës në sytë e aleatëve ndërkombëtarë.

Megjithatë, ai ka dashur të qartësojë edhe më tej qëndrimin e tij, duke e vënë theksin fillimisht te fakti se nuk ka rëndësi se kush ka qenë shkaktar i dhunës, por me rëndësi është fakti se ajo ndodhi në foltoren e demokracisë kosovare.

E më tej, ai ka shtuar se për arsye se e di “imazhin e rënë të Kosovës në sytë e ndërkombëtarëve”, asnjë justifikim nuk e ndihmon situatën.

“Si dikush që e di mirë se sa poshtë ka rënë Kosova në sytë e krejt botës demokratike për shkak të qasjes së gabuar të Qeverisë, unë vazhdoj mendoj se çka ndodhi sot është e turpshme dhe jam i bindur se justifikimi i asaj shëmtie nuk e ndihmon, po e dëmton ende më shumë reputacionin e Kosovës, prandaj thashë dhe e them prapë se uroj që opozita të distancohet nga një shëmti e tillë!”.

Kështu e ka përforcuar mendimin e tij Rama.

Ai, çastin e deritanishëm për Prishtinën zyrtare e etiketon si një moment kyç dhe pamje të tilla “skandaloze”, nuk ia ka borxh askujt Kosova.

Më herët, kreu i Qeverisë shqiptare parashtroi se të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, por ta shprehësh kështu kundërshtinë është “të njollosësh veten, zgjedhësit e tu dhe krejt shtetin me një turp”.

Dhuna në Kuvendin e Kosovës, Rama: Si ndihen aleatët kur shohin shqiptarët që kapen për fyti

Sipas tij, situata e sotme i bën dëm Kosovës edhe ndërkombëtarisht, më shumë se sa çfarëdo qëndrimi politik që po ia kundërshton kryeministrit.

Rama theksoi po ashtu se duhet menduar se di ndihen aleatët dhe miqtë e pazëvendësueshëm të Kosovës e të shqiptarëve, kur shohin “se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e me grushte”.

Çfarë ndodhi në Kuvendin e Kosovës?

Në Kuvendin e Kosovës ka pasur përplasje të ashpër fizike mes opozitës dhe sigurimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e disa ministrave të Qeverisë, pasi deputetët opozitarë kanë vendosur që të mos e lejojnë të vazhdojë fjalimin Kurti, meqë vetëm një ditë më parë, shefja e grupit parlamentar u dëgjua në përgjime duke biseduar me deputet të Listë Serbe për veteranët e UÇK-së.

Situata në Parlament eskaloi fillimisht pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, vendosi një letër ku Albin Kurti dukej me hunda të zgjatur si simbolikë e gënjeshtarit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nga vendi i tij shkoi hoqi letrën dhe e grisi.

Ky akt i Bislimit provokoi situatën edhe më tej pasi Mërgim Lushtaku, si përgjigje ndaj vendimit të Bislimit hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti, derisa Besnik Bislimi e goditi me shishe Lushtakun.

Më pas, situata u agravua pasi deputetët e PDK-së u përplasën me disa nga ministrat dhe deputetët e pozitës.

Mbrojtja e afërt e kryeministrit ka intervenuar për të ndaluar përleshjet.

Pas eskalimit të situatës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se do ta vazhdojnë seancën pas 30 minuta.

Teksa ka kërkuar nga organet e sigurisë që të marrin përgjegjësi për punën e tyre.

“Shkojmë në pushim për 30 minuta kurse ata që janë përgjegjëse le ta vazhdojnë punën e tyre me gjithçka që është e nevojshme”.

Përleshje fizike në Kuvend, Kurtit i hidhet ujë, Bislimi gjuan me shishe, goditet ministri Murati, truprojat përplasen me opozitën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore